Reforma në drejtësi, PD e PS bien dakord për pikat kyçe

23/03/2016 00:00

Byroja Kombëtare e Hetimit ishte çështja e parë që u vendos për zgjidhje në tryezën e dialogut politik për reformën në drejtësi. Për shkak se ajo është struktura që do të luftojë korruopsionin e zyrtarëve të lartë, Byroja është trajtuar gjatë gjithë kësaj kohe si kryeçështja e reformës në drejtësi.

Ndryshe nga projektligji që qeveria miratoi më 10 shkurt, Byroja nuk do të jetë nën varësine e policisë. Palët kanë rënë dakord që kjo njësi të jetë nën varësinë e Prokurorit të Posaçëm, një strukturë e re hetimore, e cila nuk do të ketë asnjë varësi nga Prokurori i Përgjithshëm.

Socialistët dhe demokratët ranë dakord të pranojnë sugjerimin e Komisionit të Venecias që ky prokuror i posaçëm të zgjidhet nga një tjetër strukturë e re, që quhet Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Po ku jep llogari njësia speciale hetimore që do të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë?

Venecia sugjeron sërish të njëjtin organ që e zgjedh, por është lënë hapur që ekspertë të huaj të sjellin formulime që përfshijnë edhe Parlamentin, si përfaqësues i popullit.

Është rënë dakord që në Kushtetutë të përcaktohet së pari autonomia e njësisë antikorrupsion dhe së dyti, se kush do të jenë zyrtarët e lartë që kjo njësi do të ketë në kompetencë të hetojë.

Çështja e dytë e rëndësishme për të cilën është arritur një kompromis në parim është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, një strukturë që ka ndikim të gjerë në zgjedhjen dhe emërimin e disa prej drejtuesve kryesorë të insitucioneve të reja të drjetësisë.

Që të arrinin kompromisin, demokratët janë detyruar të pranojnë ekzistencën e Këshillit, por një vendim përfundimtar do të merret pasi ekspertët të përcaktojnë nëse në të ardhmen, ky këshill do të jetë sugjerues i kandidaturave apo edhe vendimmarrës për to.

Socialistët ranë dakord për rishikimin e kritereve në përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas opozitës, këto ishin kritere selektive, që çonin në emra konkretë dhe në kapjen politike të kësaj strukture kyçe për sistemin e drejtësisë. 

Top Channel