Përgatiten sugjerime për ligjin e mediave “online”, gazetarët: Rrezik censure

23/03/2016 00:00

Ligji i ri, që po harton qeveria për rregullimin e informacionit “online”, ka nxitur diskutimin mes gazetarëve dhe poseduesve të mediave online dhe portaleve informative.

Të gjithë i bashkohen shqetësimit se, në emër të ndalimit të publikimit të shpifjes dhe fyerjeve në portalet “online”, ligji mund të prodhojë censurë në median “online”, e cila – sipas tyre, – është media më e lirë dhe më e pandikuar politikisht.

Megjithatë, sërish të gjithë bien dakord se ky sektor ka nevojë për rregullim, ose siç u shprehën gazetarët, për vetërregullim.

Gjatë një takimi për të diskutuar detaje mbi këtë ligj, drejtori i Programeve në zyrën e Fondacionit “SOROS” në Tiranë tha se, ekziton rreziku i censurës ekzekutive. Në draft parashikohet ndëshkimi i mediave “online” dhe portaleve për shkak të përmbjajtjes apo gjuhës së komentuesve, të identifikuar apo anonimë.

Kjo – sipas tyre, – do të çojë në paralizimin e një komunikimi masiv dhe të lirë. Drafti parashikon implikimin e nj sërë institucionesh në procesin e kontrollit dhe ndëshikimit, duke përfshirë Policinë e Shtetit, Prokurorinë dhe një sërë agjencish të tjera, që janë nën varësinë e drejtpërdrejtë të ekzekutivit.

Si të tilla, ato nuk mund të bëhen arbitër në çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat themelore dhe veçanërisht me qarkullimin e ideve dhe informacionit në internet.

Komuniteti i gazetarëve dhe drejtuesve të portaleve e mediave “online” propozuan krijimin e një grupi përfaqësimi, i cili do të prodhojë një paketë sugjerimesh për Ministrinë e Inovacionit, si dhe do të shërbejë si konsulencë edhe gjatë diskutimit të draftit në komisionin parlamentar.

Top Channel