Manjani: Nesër fillon kthimi fizik i pronës

23/03/2016 12:40

Pronat dhe kthimi i tyre, një histori e vjetër shqiptare, sa komplekse dhe aq problematike, ishte kryefjala e mbledhjes së qeverisë, ku përmes 3 vendimeve të cilat do të zbatohen nga “Agjencia e Trajtimit të Pronës” synohet vënia në vend e një të drejte të mohuar.

Këto vendime ministri Ylli Manjani i quajti si “oferta më serioze e shtetit shqiptar për shtresën e pronarëve që pa të drejtë quhen ish-pronarë”.

“Që nesër, në orën 08:00, kur të fillojë punën Agjencia e re e Trajtimit të Pronës, fillon menjëherë kompensimi, pra rikthimi fizik i pronës. Aty ku prona është e lirë, ajo kthehet”, deklaroi ministri i Drejtësisë.

Ministri Manjani njoftoi edhe shumën e kompensimit: “Fillojmë të zbatojmë me përparësi 24 milionë dollarët e parë të caktuara këtë vit buxhetor si fond për kompensimin e pronave të pronarëve. 24 milionë dollarë si asnjëherë më parë”.

Por çfarë do të ndodhë me vendimet e marra, por asnjëherë të ekzekutuara?

“Janë 26 000 vendime për qytetarë dhe pronarë të Republikës së Shqipërisë të cilat janë dhënë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por askush nuk ka çarë kokën se çfarë do të bëjë me to për të përcaktuar statusin ekonomik dhe vlerësimin e tyre. Që nesër këto vendime fillojnë të vlerësohen dhe do të kënë një çmim. Për këtë do të njoftohen publikisht dhe individualisht poseduesit e këtyre vendimeve”, sqaroi Manjani.

Qeveria ka parashikuar 23 000 hektarë tokë bujqësore e gatshme për t’u vënë në dispozicion si fond kompensimi fizik për të gjithë ata pronarë, toka e të cilëve është e zënë dhe shteti u ka borxh. Synohet edhe shkundja e pluhurit të dosjeve të 11 000 qyetarëve që nuk janë trajtuar ende. Ndërsa për pronat e zëna nga ndërtimet pa leje fillon kompensimi në masën 70% dhe 30 përqindëshi i mbetur, deri në fund të mandatit.

Top Channel