Këshilla e Metës në Kosovë: Dialogoni!

23/03/2016 10:35

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka qëndruar të mërkurën në qytetin e Pejës, në Kosovë, ku është takuar me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri.

Meta tha se kriza politike, e cila po vazhdon prej muajsh në Kosovë, duhet të gjejë zgjidhje shumë shpejt përmes dialogut, sepse – sipas tij, – imazhi i mirë i Kosovës i kontribuon edhe Shqipërisë.

“Mendoj se zgjidhja është gjithmonë përmes dialogut, respektimit të institucioneve dhe bashkëpunimit. Besoj se ka ende mjaft hapësira për të rivendosur dialogun dhe për të punuar për zgjidhje të përbashkëta, sepse të gjithë besojmë se të gjitha forcat politike janë të përkushtuara për të mirën e Kosovës”, tha Ilir Meta, kryeparlamentar i Shqipërisë.

Në takimin me kryetarin e Pejës, Meta shoqërohej nga ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, teksa kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin mes komunave në të dy anët e kufirit, sidomos në fushën e bujqësisë dhe turizmit.

Meta ftoi biznesmenët e Pejës që të investojnë në Shqipëri dhe produktet e tyre të kenë mundësi t’i tregtojnë, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, edhe në tregun ndërkombëtar.

Për të zyrtarizuar bashkëpunimin e prodhuesve në fushën e bujqësisë, kryeparlamentari shqiptar dhe kryetari i Pejës u pajtuan që shumë shpejt të organizojnë një tryezë të prodhuesve në qytetin e Pejës.

Top Channel