Terrori dhe siguria; ekspertët: Shqipëria nuk është në shënjestër të sulmeve

22/03/2016 19:55

Eksperti i sigurisë kombëtare, Arjan Dyrmishi, tha në studion e lajmeve në Top Channel se Shqipëria nuk është një shënjestër e terroristëve.

“Kryesisht sulmet e kohëve të fundit në Paris dhe në Bruksel që i janë atribuuar ISIS-it, kanë si qëllim që të rrisin popullaritetin e tyre në Europë dhe të shtojnë numrin e rekrutimeve çka do të thotë se ata përzgjedhin objektivat të cilat kanë një profil të lart, siç janë aeroportet apo kryeqytete kryesore, dhe nga kjo pikëpamje do të thosha që Shqipëria nuk është se bën pjesë në këto kalkulime të ISIS-it aktualisht”, u shpreh Dyrmishi.

Sipas tij, është e vështirë që terroristët të vëzhgohen 24 orë me radhë. Ai shprehet se është e nevojshme që komuniteti të informojë dhe të ndihmojnë policinë, pasi vetë terroristët jetojnë në komunitet.

“Presioni i vazhdueshëm dhe i tejzgjatur mbi forcat e sigurisë krijon të çara dhe është e pamundur që të të mbikëqyret në mënyrë të tillë 24 orë. Ka lindur si nevojë një përfshirje më e gjerë e publikut sepse terroristët janë individë të cilët jetojnë në komunitet, jetojnë midis njerëzve, por në rastin tonë kjo është një kulturë jo e zhvilluar”, vijoi Dyrmishi.

Top Channel