Akërni, fshati ku u dëgjuan zhurmat e avionit “fantazmë”

22/03/2016 00:00

Kamera e TCH ka qenë pikërisht në vendin, nga ku Policia e Shtetit ka të dhëna se në datën 20 mars është ulur, e më pas ngritur në fluturim një avion, i cili kishte si destinacion Italinë dhe që dyshohet se transportonte lëndë narkotike.

Vendi duket se është përzgjedhur me kujdes, e ndodhet vetëm pak metra larg pishave, ku mund të fshihet lehtësisht lënda narkotike, si dhe rreth 13 km nga zona më e afërt e banuar, fshati Akërni.

Në afërsi të vendit ka vetëm dy stane. Pronari i njërit, së bashku me dy djemtë e tij janë shoqëruar në polici, por siç konfirmon dhe Xhuliano Mehmeti, djali i dytë i familjes, ata janë lënë të lirë dhe nuk kanë asnjë lidhje me ngajrjen.

“Isha duke mjelë dhentë në atë kohë. Zhurma është dëgjuar rreth orës 6:30-7:00. Morën në pyetje babain tim dhe vëllezërit, pasi i shoqëruan në polici, dhe më pas i lëshuan. Ne nuk dimë gjë, punojmë këtu me bagëti. Se çfarë ndodh këtu afër, s’kemi pse të jemi fajtorë ne”, tha Xhuliano Mehmeti.

Prania e avionit mbetet ende e paverifikuar. As avionë të sofistikuar italianë nuk kanë rënë dot në gjurmët e tij. Por, i pyetur nëse janë të shpeshta zhurma të ngjashme si ajo e së dielës, 22-vjeçari ishte i drejtpërdrejtë.

“Po, po janë të shpeshta, por nuk kam parë gjë. S’mund të them që i kam parë, kur s’kam parë gjë”, tha më tej Xhuliano Mehmeti.

Të njëjtën gjë, jashtë kamerave e pohojnë edhe barinj të tjerë, të cilët zgjedhin këtë zonë për të kullotur bagëtitë e tyre.

Ndërkaq, Policia e Shtetit është duke vijuar ende hetimet dhe bashkëpunimin me autoritetet italiane, për të zbuluar këtë linjë trafiku, e cila pikaset prej tyre për të tretën herë brenda dy vitesh.

I pari Riformato, i cili sot vuan dënimin prej 15 vitesh nën akuzën për trafik. Rasti i dytë ka të bëjë me dy shqiptarë, të cilët gjenden sot në burgjet italiane. I treti, për momentin është vetëm një avion “fantazmë”, zhurma dhe bëmat e të cilit prishën gjumin e autoriteteve në Itali, Shqipëri dhe të banorëve të fshatit Akërni.

Top Channel