Nuk është germa, por fryma

20/03/2016 00:00

Nga Artan Gaçi – Çdonjëri nga ne në sallë që nga delegati më i ri deri tek Edi Rama kanë të paktën 3 statute ose kode, të cilat shërbejnë si udhërrëfyes ose si shina të udhëtimit të gjithsecilit.

Të gjithë kemi një statut personal le të themi, një libër rregullash ose një kod, i cili na shoqëron përgjatë gjithë qasjes së karrierës personale, në jetë, në marrëdhëniet me njerëzit dhe pa diskutim edhe këtu në parti.

Ky kod është shumë individual, është si një ADN e papërsëritshme për secilin nga ne. Kjo ADN është ekuilibri ose formula individuale me të cilën gjithsecili prej nesh qaset në shoqëri e parti, në funksion të përmbushjes së ambicieve personale. Ky ekuilibër dikton te gjithsecili idealizmin apo arrivizmin, kontributet apo pretendimet, sakrificat apo privilegjet.

I dyti, sipas këtij arsyetimi, është statuti i Partisë Socialiste, libri i rregullave ose kodi që rregullon marrëdhëniet e bashkëjetesës sonë. Ky statut është shumë i rëndësishëm, sepse është statuti i organizimit ose grupimit më të madh vullnetar në Shqipëri, që është Partia Socialiste.

Është një statut që ka ndryshuar e modernizohet me Kohën, në garë me veten, pa të dytë si shoq në partitë e tjera. Është një statut që ndjek një parti të gjallë, jo anasjelltas, e që modernizohet me kohën, votuar në mënyrë demokratike e që respektohet në mënyrë demokratike. Pa patetizëm, e përsëris që është statuti i grupimit jo vetëm më të madh, por edhe më demokratik që ka ky vend.

Statuti ose kodi i tretë është ai moral. Nëse statuti i partisë është germa e ftohtë e ligjit, ky kod moral që është sërish personal për gjithsecilin prej nesh, është fryma e tij.

Asnjë germë e statutit nuk e ka detyruar shumicën e njerëzve në këtë sallë të bëjnë ato sakrifica që kanë bërë për këtë parti.
Asnjë germë e statutit nuk detyronte asnjë socialist që mbas zgjedhjeve të 2009-s të mbushnin sheshet e rrugët e Shqipërisë për transparencën e votës.

Asnjë germë e statutit nuk detyronte njerëzit që të linin punët e tyre edhe pse me halle të panumërta personale e familjare, e të vinin të protestonin kundër pushtetit të Berishës, në ditët kur ai kujtonte se ishte më i fortë.

Asnjë germë e statutit nuk u thoshte socialistëve të shpërfillnin frikën se do t’i hiqnin nga puna, se do t’u mbyllnin bizneset, e se do të kishin pasoja nëse dilnin nëpër protesta.

Asnjë germë e statutit nuk u thoshte socialistëve “Harroni hallet tuaja, e pavarësisht se do t’ju skedojnë e do t’ju shoqërojnë nëpër komisariate dilni në protesta”. Po sigurisht që dilnin, dilnin edhe më shumë…

Asnjë germë e statutit nuk i detyronte socialistët të vinin të protestonin, edhe pse do t’i rrihnin, do t’u hidhnin gaz lotsjellës e ujë me presion, me shkop gome e forca speciale të armatosura deri në dhemb. Serish dilnin. Edhe më të shumtë herët e mëpasshme.

Asnjë germë e statutit nuk u thoshte socialistëve që më 21 janar edhe pse u paralajmëruan 1 javë rresht se protesta do të përballej më qen kufiri, forca speciale e ushtarë garde të armatosur me plumba të vërtetë, prapë dolën të panumërt socialistët.

Edhe pse ajo që paralajmëroi pushteti i atëhershëm fatkeqësisht rezultoi e vërtetë, dhe 4 prej nesh humbën jetën. Kishte nga ata që lexonin germat e nuk erdhën në këtë protestë.

Asnjë germë e statutit nuk detyroi 200 gra e burra e shumë deputetë të hynin në grevë urie për 20 ditë. Një pjesë e tyre jeni këtu në sallë.
Kishte nga ata që lexonin germat e as në grevë nuk vinin.

Asnjë germë e statutit nuk detyronte socialistët të mbronin për javë të tëra, ditë e natë, votat e qytetarëve të Tiranës në zgjedhjet e 2011-s.
Kishte nga ata që lexonin germat e nuk vinin po flinin. Të gjithëve sa përmenda ju njoh. Ju njoh se kam qenë me ju në rresht të parë. Ju njoh hallet, ju njoh sakrificat, ju njoh kurajën, ju njoh edhe madhështinë e modestisë suaj.

Është ky kod moral, i pashkruar në statutin e partisë, që e bën kaq të madhe partinë tonë. Është ky kod moral e kjo modesti që dikton më shumë se sa statuti kontributin dhe bashkëjetesën tonë.

Është falë këtij kodi moral, të pashkruar në asnjë statut, të këtyre njerëzve që nuk i bën bashkë germa por fryma, që e bëjnë partinë tonë institucionin më të rëndësishëm që ka ky vend, dhe shpresën e vetme për të bërë Shqipërinë.

Falë kësaj fryme, e jo germave të statutit, që Shqipëria po bëhet. Të gjithë ne bashkë këtu nuk jemi prej germave, jemi prej frymës e këtij kodi moral që na bën të tejkalojmë axhendat personale.

A mund të mposhtet kjo frymë me germa? Unë them jo! Me germa mund të hartosh skenarë e episode, por nuk ndryshojnë aspak kodin moral të gjithsecilit prej nesh.

Dhe unë mendoj se pasuria më e madhe që ka Partia Socialiste, është pikërisht ky statut i pashkruar që na bën bashkë të gjithëve ne këtu e ata që na mbështesin e na besojnë me votën e tyre.

Është kjo frymë që na bën më të fortë, çdo ditë e më të shumtë, më të mëdhenj e më të hapur për të pranuar edhe ata që luajnë me germa.
Është kjo frymë që bën Partinë Socialiste forcën më emancipuese e më progresiste në vend.

Autori është deputet i Partisë Socialiste

Gazeta Shqip

Top Channel