Meta pret ministrin turk të Shtetit

13/03/2016 12:15

Ilir Meta priti të dielën një delegacion turk të kryesuar nga ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ahmet Gundogdu.

Së bashku me një grup deputetësh turq, Gundogdu vizitoi Shqipërinë për të marrë pjesë në simpoziumin dyditor të organizuar në nderim të figurës së Mehmet Akif Ersoit, personalitetit me origjinë shqiptare, i cili themeloi himnin e Turqisë.
Gjatë takimit, Meta dhe Gundogdu e vunë theksin te marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Turqisë si dhe nënvizuan rëndësinë e forcimit të këtyre marrëdhënieve në fusha të rëndësishme si ekonomi, shëndetësi, kulturë dhe arsim.

Pas takimit, Gundogdu u shpreh kështu për mediat: “E falënderojmë shumë Kryetarin e Kuvendit që priti delegacionin tonë të Sindikatave të Arsimit të Turqisë, deputetët e Parlamentit tonë të qytetit të Stambollit, të Konjës dhe Urfës. Kjo është një vizitë që bëhet për të forcuar marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve tona. Vëllazëria forcohet duke vizituar njëri-tjetrin dhe delegacioni i fundit i shtetit tonë ka qenë Kryetari i Parlamentit të Turqisë që ka vizituar Shqipërisë, dhe tani e ftuam Ilir Metën që të vizitojë shtetin tonë. Dëshirojmë që të gjitha marrëdhëniet tona ekonomike, sociale, politike, arsimore të forcohen, por aq më tepër marrëdhëniet midis dy parlamenteve tona të forcohen sa më shumë”.
Ndërsa Ilir Meta theksoi kënaqësinë “për takimin që bëmë me Ministrin e Shtetit të Parlamentit të Turqisë dhe me deputetët dhe Sindikatën e Arsimit që po vizitojnë vendin tonë”.

“Sikurse e konfirmuam edhe gjatë takimit tonë, marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera dhe të gjithanshme. Marrëdhëniet midis dy parlamenteve tona po ashtu. Pranova me kënaqësi ftesën për të vizituar Turqinë së afërmi, duke qenë se kemi një Kryetar të ri të Parlamentit në Turqi, por marrëdhëniet tona dihet që janë mjaft solide dhe tradicionale. Kemi folur edhe për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe për një kujdes më të madh për edukimin e gjeneratave më të reja. Por natyrisht që kemi folur jo pak edhe për krizën në Siri dhe sidomos për krizën e refugjatëve, ku dua të vlerësoj edhe një herë Turqinë për një përpjekje gjigante që po realizon për të ndihmuar miliona refugjatë të cilët po përpiqen të shpëtojnë nga lufta”, deklaroi Meta.

Top Channel