Kabllogrami për detin, Rama: Si ju nënshtrua Berisha presionit të Greqisë

10/03/2016 00:00

Paraditen e të enjtes, gjatë mungesës së opozitës në sallë, rolin e saj e mori Vangjel Dule.

“Ka elementë të kriminalizuar dhe ju si njeriu që me firmën tuaj i keni futur midis nesh mbani përgjegjësinë kryesore”, tha Dule.

Për Edi Ramën, tonet e larta të aleatit të tij ende zyrtar, lidhen me një tjetër arsye.

“Unë nuk dua të besoj se ti je i pavëmendshëm se të ka shqetësuar dalja në dritë e disa fakteve, që provojnë atë që ne kemi thënë. Kufiri detar është faktikisht tradhti, nuk është përgjegjësi e qeverisë greke, që në Tiranë gjetën ca kokrra tradhtarësh që falën gjithë atë territor ujor të Shqipërisë për ca interesa mizerabël”, u shpreh kryeministri Rama.

Kryeministri iu referua publikimit në shtypin e kësaj të enjteje, të një kabllogrami të Ambasadës Amerikane, zbuluar nga  Wikileaks për paktin detar Shqipëri-Greqi.

Selia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë raportonte në atë kohë se Shqipëria ishte vënë nën presionin e palës greke për të pranuar kushtet e saj për delimitimin e shellfit kontinental dhe çështjen e varrezave, duke e kërcënuar me refuzimin e ratifikimit të MSA-së me BE-në.

Pala greke thuhet në raportim i ka kërkuar palës shqiptare të mbahen jashtë kësaj çështjeje fuqitë e mëdha dhe sidomos Uashingtoni.

“Qeveria shqiptare nuk ka kërkuar ndihmën e SHBA, por ka preferuar ta zgjidhë vetë këtë çështje”, mbyllet raportimi i Ambasadës Amerikane. 

Qeveria shqiptare nënshkroi paktin detar me Greqinë, që më pas u rrëzua nga Gjyakata Kushtetuese.

Top Channel