“Beqja” shpëton Koçon, avokatët: Vendimi i Kushtetueses shfajëson Kokëdhimën

09/03/2016 00:00

Në vend që ta ndëshkojë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqaj në vitin 2011, mund t’i shpëtojë sot mandatin Koço Kokëdhimës. Sipas avokatit të këtij të fundit, Artan Hajdari, jurisprudenca e ndjekur në “rastin Beqaj”‎ shërben për të treguar qartë momentin kur fillon mandati i deputetit.

“Mendoj që rasti Beqaj e sqaron shumë qartë rastin Kokëdhima dhe rastin Kokëdhima, me gjithëse nuk është ky rast, duke si lojëra fjalësh, por ka referencë të rastit vetëm për faktin që kur fillon ajo që quhet konflikt i interesit i një deputetit në raport me përfitimet në fonde publike”, tha Artan Hajdari.

Edhe per Eno Bushin, perfaqesuesin ligjor te Ilir Beqajt ne vitin 2011, perfundimi eshte i njejte.

“Në qoftë se do marrim për bazë këtë jurisprudencë që është krijuar në rastin e ministri Beqaj, kjo duke e parë pastaj interpretimin që ka dhënë Gjykata Kushtetuese në këndvështrim të çështjes, do të thosha që nuk ka vend për të kërkuar heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, sepse ajo lloj jurisprudence sqaron këto nocione. Duke qenë se këtu nuk ndodhemi në ato raste, për mua nuk ka vend për të diskutuar për heqjen e mandatit të tij”, shprehet Bushi.

Sipas tyre, në rastin Kokëdhima nuk ka asnjë shkelje të ligjit pasi kontratat e firmosura nga kompania ku ai ishte aksioner, nuk janë bërë gjatë kohës kur ai kishte marrë mandatin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por ishin marrëveshje të firmosura më parë efektet e të cilave kanë vijuar edhe gjatë kësaj periudhe.

Top Channel