Basha pret zyrtarin italian, Goci; “Pas dekriminalizimit, drejtësia”

08/03/2016 18:00

Kryetari i  Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti këtë të martë në një takim nënsekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane të qeverisë italiane, Sandro Goci.

Situata aktuale politike dhe ekonomike, krimi dhe korrupsioni, dekriminalizmi, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma në drejtësi kanë qenë çështjet kryesore të diskutuara në këtë takim, thuhet në një njoftim të selisë blu.

“Pas më shumë se një viti diskutimesh, negiciatash, përpjekjesh, mungese vullneti nga mazhoranca dhe persistimi nga ana e opozitës, sot është përmbyllur kuadri ligjor për të pastruar politikën nga krimi. Sfidë mbetet implementimi i ligjit”, mësohet të ketë thënë Basha.

Kryetari i PD është ndalur edhe tek reforma në drejtësi, për të cilën e ka vënë theksi tek nevoja për konsensus dhe për të ndjekur rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Për këtë, Partia Demokratike ka qenë, është dhe mbetet e qartë dhe e vendosur”, ka theksuar Basha.

Ai ka nënvizuar se, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë sfida e radhës për Shqipërinë, duke risjellë në vëmendje konstatimet e raportit të OSBE/ODHIR-it, si dhe përfshirjen në procesin zgjedhor të personave me rekorde kriminale.

Nga ana e tij, nënsekretari Goci theksoi se, shteti i së drejtës mbetet një moment kyç në vlerësimin që Bashkimin Europian bën ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit.

“Ajo është një kërkesë e panegociushme e BE, të cilën dhe Italia e mbështet plotësisht”, ka theksuar zoti Goci. Ai ka shtuar se, çështjet e ngritura nga kryetari i PD janë shqetësuese, ndërsa garantoi se komunitetit ndërkombëtar do të jetë i vëmëndshëm ndaj tyre.

Top Channel