Basha në Berat, përdor si argument akuzat e Blushit

08/03/2016 13:00

Në Berat, Lulzim Basha e renditi ligjin e dekriminalizimit si një betejë të fituar nga opozita kundër asaj që e cilësoi si “bashkëqeverisje të Edi Ramës me krimin”. Si pjesë të argumentit, kryetari i Partisë Demokratike përdori edhe Ben Blushin, por pa ia përmendur emrin.

“Me kriminelët kryeministri ndan sot e kësaj dite edhe paratë e kontrabandës së duhanit e naftës. Pra, ia dorëzoi pushtetin krimit dhe kur ne ngritëm këtë çështje, pakkush besonte tek kjo kauzë. Shikoni sot, sot brenda partisë së tij i thonë se e ke mbushur me kriminelë, po qeveris me kriminelë, po vjedh me kriminelë e po rri me kriminelë. E ulëm në gjunjë këtë, që prap së prapë donte ta mbronte krimin deri në minutën e fundit”, deklaroi Basha.

Lulzim Basha tha se vendi ndodhet në udhëkryq për shkak të korrupsionit, në themel të të cilit qëndron, sipas tij, përpjekja e Rames për të zëvendësuar shtetin ligjor me shtetin e vetë personal. Beteja me korrupsionin, për Lulzim Bashën, është jetike për çdo qytetar.

“Po të zhdukësh 1.2 miliard euro, normalisht që kjo do të ndihet. Po ku do të ndihet? Normalisht tek tryezat dhe xhepat e shqiptarëve. Kjo batërdisje e madhe bëhet sepse kjo qeveri mendon se, kur të vijë ora e përballjes me ju do t’i rrethojë sërish zgjedhjet me para për të blerë votën dhe kriminelë për të frikësuar qytetarët”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha se Partia Demokratike është gati të qeverisë sërish vendin dhe t’u ofrojë shqiptarëve uljen e taksave dhe rritjen e punësimit.

Top Channel