8 ministre për 8 Mars; Rama, paqe me Arta Daden në ditën e grave

08/03/2016 12:25

Në një kabinet me 8 gra ministre, kryeministri Rama tregon se i është dashur të tërhiqet në ndonjë debat përballe tyre.

“Debatin më të vështirë, ku jam tërhequr unë e kam patur me Lindita Nikollën, për mënyrën sesi duhej çuar përpara reforma në arsim. Koha i dha të drejtë Linditës, megjithëse do të kisha dashur më të jepte të drejtë mua”, tha Rama.

Me këtë shembull personal, kryeministri Rama këtë 8 Mars ilustroi marrëdhëniet e tij me gratë ministre, pasi tregoi për dërgimin e tre buqetave me lule për nënën, vjehrrën dhe bashkëshorten.

Por, siç thotë një shprehje, “gjuha shkon atje ku dhëmb dhëmbi”, tek akuzat e Bashës dhe Blushit se në Partinë Socialiste problematikë janë burrat.

“Ka një përpjekje të vazhdueshme që do të shkojë duke u rritur për të kriminalizuar PS, për të kriminalizuar qeverisjen e vendit, për të kriminalizuar çdo vendim, për të kriminalizuar çdo reformë, për të kriminalizuar çdo akt. E vërteta është që ne jemi forca politike që pavarësisht papërsosmërisë së vetë, se të përsosur s’do jemi kurrë, ka sjellë në Kuvendin e Shqipërisë jo kriminelët, por numrin më të madh të grave dhe vajzave që ka pasur ndonjëherë Kuvendi i Shqipërisë”, tha Rama.

Mes këtyre grave, këtë 8 Mars një vlerësim erdhi edhe për femrat e para politikane socialiste, pavarësisht sa kritike janë ato sot me shefin e qeverisë.

“Artën e kemi kryetare të Komisionit të Jashtëm. E kemi pasur ministre të Jashtme dhe do ta bëjmë ministre të Brendshme”, tha Rama.

“Nga ato buqetat, sikur të na kishe kujtuar me një karafil, nuk do të bëje keq”, u shpreh Dade.

“Ah! Deri në Kongres më ke mua karafil”, u përgjigj Rama.

Top Channel