Kompensimet, Rama siguron banorët pranë stadiumit dhe të përmbyturit në Shkodër

07/03/2016 00:00

Kryeministri Rama i ka dhënë shpjegime vetë banorëve të Shkodrës që preken nga ndërtimi i Stadiumit në këtë qytet. Pas një takimi me kryebashkiaken Voltana Ademi, kryeministri Rama doli para bashkisë ku ishin mbledhur një pjesë e banorëve.

“Ne kemi investuar një shumë shumë të madhe për të bërë Shkodrën me stadium ndërkombëtar. Nuk është bërë për të qënë thjesht stadiumi i Shkodrës, po stadium ndërkombëtar që të mund të futet në listën e UEFA-s dhe të bëhen dhe ndeshje ndërkombëtare”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për kompensimin e familjeve që preken: “Do të shpronësohet paraprakisht dhe kush do të duhet të largohet që aty do të marrë lekët e shpronësimit para se të bëhet ndërhyrja”, tha ai.

Kryeministri i dha përgjigjie edhe banorëve të fushës së Nënshkodrës që kanë protestuar për kompensimet e përmbytjeve të ndodhura nga hapja e portave të hidrocentraleve nga ana e KESH në vitin 2010.

“Të jeni të bindur që çdo gjë që është e përfshirë në inventarin e bërë nga qeveria e mëparshme do të konsiderohet. Atë dëm që ju ka vlerësuar shteti shqiptar në atë kohë ne ju kemi shlyer në një masë të konsiderueshme se i morrë ne të gjitha borxhet në kurriz, se nuk ju kishin dhënë asnjë lek”, i tha Rama.

Top Channel