“Dekriminalizimi”, ja vetëdeklarimi që do të plotësojnë të gjithë buxhetorët

04/03/2016 19:50

Pas datës 6 mars, pothuajse të gjithë ata që paguhen nga buxhetit i shtetit shqiptar brenda dhe jashtë vendit, që nga presidenti, anëtarët e qeverisë, deputetët, të zgjedhurit lokalë, deri tek specialistët e administratës publike, efektivët e policisë, të ushtrisë dhe shërbimit diplomatik janë të detyruar të plotësosjnë formularin e vetëdeklarimit, që përbën një nga bazat e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit.

Formulari, që iu nënshtrua negociatave politike, ka marrë ngjyrën dhe formën e formularit që paraqiti Partia Socialiste, por në përmbajtje ai ngjan me formularin e demokratëve dhe ruan frymën e ashpërsisë së ligjit të dekriminalizimit.

Formulari është i ndarë në tre kapituj, ku secilit i është dhënë rëndësi me penalitetet e përmendura në rast të deklarimit të rremë. Kjo nis që me identitetet e përdorura zyrtarisht dhe jozyrtarisht, për mosdeklarimin e të cilave, personi mund të ndiqet penalisht, në rast se bëhet pengesë për zbatimin e ligjit.

Formulari përmban 8 pyetje për gjendjen gjyqësore të personit me funksion publik. Ai përfshin pyetje rreth ndalimit ose arrestimit brenda dhe jashtë Shqipërisë, detaje për vendin, kohën dhe arsyen e ndalimit.

E njëjta procedure e detajuar ndiqet edhe nëse plotësuesi i formularit është ndjekur penalisht, ka patur vendim të formës së prerë brenda dhe jashtë vendit, apo ka patur urdhër ndalimi ndërkombëtar.

Personi që firmos formularin, që sugjerohet të jetë veprimi i fundit përpara dorëzimit, bie dakord për publikimin e të gjitha të dhënave si dhe, për verifikimin e shenjave të gishtërinjve dhe çdo të dhëne biometrike.

Nëse ai që firmos formularin jep të dhëna, që më vonë verifikohen si të pavërteta, të paplota ose të pasakta jo vetëm i ndërpritet mandati, i ndalohet më vonë e drejta për t’u zgjedhur, ose emëruar, por ndiqet penalisht dhe rrezikon të dënohet nga gjobë deri në burgim.

Top Channel