Xhafaj: Reforma, ja ku ndahemi me PD

03/03/2016 00:00

Komisioni i Venecias, sipas Fatmir Xhafajt ka vlerësuar projektin për reformën në drejtësi. Deklaratën, kreu i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi e bëri në Top Story, ku ndau katër momente kyçe në opinionin përfundimtar të Venecias.

“Së pari, Venecia thotë se procesi është brenda standardeve dhe në rrugën e duhur, së dyti, vlerëson rolin e ekspertëve shqiptarë, së treti vlerëson projektin, atë që deri dje opozita nuk e pranonte fare duke e quajtur atë krejtësisht të njëanshm dhe në fund mbështet plotësisht projektin dhe gjithë strukturën e re të sistemit të ri të drejtësisë”, tha ai.

Sipas deputetit socialist, Venecia ka dhënë mbështetje në tri pika kyçe të projektit.

“Zgjidh çështjen e organeve që do të drejtojnë dhe do të vetërregullojnë sistemin, duke ndërprerë mandatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe duke ngritur  Këshillin e Lartë të Gjykatësve dhe Këshillin e Lartë të Prokurorëve, së dyti i jep mbështetje një zgjidhjeje të veçantë dhe të jashtëzakonshme, se në kushte të tilla jemi, si ngritja e njësisë së posaçme hetimore të prokurorisë dhe gjykatës antikorrupsion ose ajo që quajmë Byroja Kombëtare e Hetimit dhe së treti justifikon, mbështet dhe quan të pranueshme masat e jashtëzakonshme që marrim në një situatë të jashtëzakonshme dhe jemi të qartë, thelbi i gjithë projektit përmblidhet në këto 3 pika”, vlerësoi ai.

Cila duhet të jetë përfshirja e politikës në këtë reformë dhe çfarë sugjeron Venecia për këtë?

“Venecia ka thënë që të përfshihen partitë politike, se në fund të fundit ky është një proces politik, pasi politika e voton, por pa u përfshirë në procesin e përzgjedhjes së vlerave profesionale të kandidatëve”, tha Xhafaj.

Fatmir Xhafaj thotë se opozita ka rënë në kundërshti me akuzat e saj se maxhoranca aktuale kërkon të kapë sistemin e drejtësisë. Ai e pasqyroi këtë me një propozim që opozita ka bërë sa i takon strukturimit të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, që zëvendëson Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

“Një propozim që dy t’i ketë opozitë dhe tre maxhoranca. Pra dy nga lista t’i zgjedhë opozita dhe tre maxhoranca. Me pak fjalë, ai vjen si profesionist, me kostumin e profesionistit dhe do të dalë me kostumin e partisë”, deklaroi deputeti socialist.

Ndërkohë ajo që propozon Partia Socialiste, sipas Xhafajt, nuk lejon kapjen politike.

“Një nga avokatia, një të vijë nga noteria, nga bota akademike, nga shkolla e magjistraturës dhe nga shoqëria civile. Avokatia sjell 5 kandidatura që i zgjedh si profesionistë, Kuvendi bën një seleksionim ku përfshihen partitë politike, seleksionon dy por pa përcaktuar nga janë seleksionuar dhe kush i ka seleksionuar. Këta i kthehen këshillit të emërimeve, që është një organ i gjyqësorit, dhe ai bën një renditje preferenciale. Kuvendi i voton dhe nëse nuk arrihet një shumicë e cilësuar, ngelet i pari në listë”, sqaron Xhafaj.

Një pikë e rëndësishme e njëkohësisht edhe e nxehtë e draft-reformës është procesi i vetingut.

“Procesin e vetingut nuk do ta bëjë maxhoranca. Tek ai kanë një rol të jashtëzakonshëm ndërkombëtarët në dy shkallë, komisionet e kualifikimit dhe shkalla e dytë ankimimi dhe në të dyja rastet anëtarët e komisioneve do të përzgjidhen me një procedurë të jashtëzakonshme. Vetingun për herë të parë do të bëjnë vetë anëtarët e këtyre dy komisioneve”, tha Xhafaj.

Në fund, Xhafaj sqaroi edhe projektin për Byronë Kombëtare të Hetimit. Ai tha se drafti i Ministrisë së Brendshme për këtë strukturë do t’i bashkangjitet debatit për reformën në drejtësi.

Top Channel