Refugjatët, UNHCR në Shqipëri: Masat janë marrë, por rreziku mbetet

02/03/2016 19:55

Në kohën kur kriza e refugjatëve të bllokuar në Maqedoni e Greqi, orë pas ore shton më shumë mundësitë e kalimit të tyre nëpërmjet Shqipërisë, përfaqësuesja e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët në Tiranë, Marie-Helene Verney, në një intervistë për Top Channel shprehet se kjo çështje duhet trajtuar me përparësi dhe të jetë një prioritet për qeverinë në këtë moment.

“Unë besoj se asnjë vend në botë nuk është gati të presë ato shifra që ne pamë verën e kaluar, pavarësisht se tashmë shifrat e emigrantëve janë ulur disa herë. Unë di që Shqipëria ka një plan emergjence, i cili është dashur për shumë arsye të pësojë ndryshime të herëpashershme. Ajo që është me rëndësi në këtë moment është që planet që mund të bëjë një vend të jenë fleksibël dhe të gatshme të rishikohen në çdo moment”, deklaron Verney.

Por sa kohë i duhet UNHCR-së për t’i ardhur në ndihmë refugjatëve që mund të mbërrijnë në Shqipëri?

“Një ditë, sepse këtu kemi të bëjmë me njerëz që janë në nevojë. Kanë nevojë për ushqime dhe nevojë për gjëra të tjera bazë. Flitet që ka grupe të cënueshme si gra e fëmijë, kështu që nuk kemi shumë zgjedhje”, thotë Verney.

E pyetur mbi deklaratën e kryeministrit Edi Rama, përfaqësuesja e UNHCR-së jep këtë koment:

“Kryeministri ishte shumë realist në atë që tha, sepse as Shqipëria e asnjë vend tjetër nuk mund ta zgjidhë këtë krizë dhe të shpëtojë botën i vetëm. Por them gjithësesi që Shqipëria mund të bëjë pjesën e saj duke siguruar përsa është e mundur, trajtimin e personave në nevojë”, thekson Verney.

Duke u ndalur tek alarmi i ngritur në Itali mbi vërshimin e mundshëm të emigrantëve, Verney thekson se Italia është duke bërë atë që të gjitha vendet po bëjnë, analizimin e të gjithë skenarëve të mundshëm në rast të bllokimit të intinerarëve të deritanishëm.

Top Channel