Ujësjellësat, ERU: Skemë e re menaxhimi në ndërmarjet e mëdha

29/02/2016 14:40

68 përqind e ujit të pijshëm që hidhet në rrjet nuk sjell të ardhura për shoqërite e ujësjellësit. Gjatë raportimit në komisionet parlamentare kryetari i Entit Rregullator të Ujit, Avni Dervishi tha se humbjet vijnë nga tubacionet e vjetra, lidhje të jashtëligjshme dhe mos arkëtimet.

“Aktualisht në shkallë vendi nëse i konsiderojmë të 57 shoqëritë si një të vetme, konsiderojmë se 68% janë humbje, ujë pa të ardhura. Del, prodhohet, futet në sistem, bëhet një farë trajtimi dhe ky ujë nuk gjeneron të ardhura”, tha Avni Dervishi, kryetar i Entit Rregullator të Ujit.

Kjo sasi e konsiderueshme e humbjeve vjen në një kontekst kur pjesa më e madhe popullisë në vend nuk furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm. Sipas Entit, mund të shikohet mundësia që për ndërmarrje të mëdha si ujësjellësat e Tiranës dhe Durrësit të ndiqet një skemë si ajo e energjisë me operatorë të ndarë, në prodhim, transmetim dhe shpërndarje.

“Durrësi dhe Tirana që kanë burimet e ujit të shpërndara dhe me distanca të mëdha, në këtë rast ndoshat ia vlente të eksperimentohej një skemë brenda kompanisë së madhe me përgjegjësi të veçanta, prodhim, transmetim dhe shpërndarje. Ndërsa në raste të tjera nuk mund të funksionojë si e tillë”, vijon Dervishi.

Enti gjykon se ndarja e re territoriale do të krijojë mundësi më të mira menaxheriale për sektorin e ujit të pijshëm, ndërkohë problem mbetet përdorimi politik i punonjësve në vite zgjedhore.

Top Channel