Lushnje, dorëhiqet drejtori i spitalit; ikin edhe 35 punonjës

29/02/2016 13:50

Me anë të një konference për shtyp, drejtori i spitalit të Lushnjes, Ramazan Doko ka njoftuar dorëheqjen e tij nga ky post.

Doko është treguar i kujdesshëm me fjalët e tij, duke dhënë si arsye të kësaj dorëheqjeje motive familjare dhe paaftësinë e tij në këtë detyrë.

“Kam patur shumë projekte të cilat nuk munda t’i realizoja dot”, ka thënë ai, duke mohuar zërat se politika ka qenë arsyeja e dështimit të këtyre projetkeve.

Kjo dorëheqje përkon edhe me largimin nga puna të 35 punonjësve, të cilët ditën e nesërme nuk duhet të paraqiten më në punë. Por Doko ka mohuar që kjo të ketë qenë arsyeja.

Vetë punonjësit që do të largohen kanë kërkuar një zgjidhje. Ata kanë deklaruar se një nga shkaqet e dorëheqjes së drejtorit është dhe largimi i tyre.

Ndërkohë, edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga paraqitja e dorëheqjes, ende askush nuk është paraqitur për të zëvendësuar Dokon.

Top Channel