“Made in Albania” në skenë

23/02/2016 00:00

Aktorë që u përkasin shkollave të ndryshme, por që kanë dëshirën e përbashkët të sjellin produktin më të ri të skenaristit Stefan Capaliku e regjisorit Altin Basha.

“Made in Albania” është një dramë, ngjarjet e së cilës zhvillohen në një fasoneri, ku produktet, ngjarjet e njerëzit janë që të gjitha ‘prodhime shqiptare’.

“Është një produksion që përfshin një numër relativisht të madh aktorësh, ku janë gërshetuar të gjithë brezat, që nga brezi me më shumë përvojë, me Luftar Pajën dhe Zyliha Milotin, më pas me brezin e mesëm me Shegushe Bebetin dhe pastaj vazhdojmë me një brez më të ri aktorësh, me Florian Agalliun, Albana Koçon e duke përfunduar deri tek një aktore mjaft e re, që është Aljona Aga. Mendoj që është një përzierje që do t’i japë një energji të veçantë shfaqjes”, thotë regjisori, Altin Basha.

Shfaqja synon të kthejë sytë nga drama shqiptare, nderi i së cilës duket të ketë humbur prej disa kohësh.

“Kjo është një përpjekje, nuk mendoj që ka një strategji të qartë dhe të vëmendshme ndaj dramës shqipe, mendoj që përkundrazi drama shqipe është në një moment të vështirë, është mjaft e paragjykuar, por unë nuk mendoj që kjo duhet të bëjë që drama shqipe të zhduket nga repertori i teatrove shqiptarë. Mendoj që kjo vepër do të jetë një dëshmi e asaj që në dramën shqipër mund të gjenden vlera po aq të fuqishme sa në dramën e huaj”, shton regjisori Basha.

Që prej kësaj të marte, artistët do të nisin punën për këtë dramë, e cila në vazhdimësi do të prezantohet për publikun e mediat në çdo etapë të saj, deri në muajin prill, kur të vendoset në skenën e Teatrit Eksperimental. 

Top Channel