Arrestohet në Maqedoni kryebashkiaku i Pustecit

12/02/2016 14:00

Me urdhër të Prokurorisë Speciale në Maqedoni, këtë të premte është arrestuar kryetari i Bashkisë së Pustecit, Edmond Themelko.

Ai është vënë në pranga paraditën e sotme në qytetin e Manastirit, nën akuzën për manipulim të proceseve zgjedhore në Maqedoni.

Për shkak të dyshimeve të bazuara për parregullsi të shumta zgjedhore, Prokuroria Speciale ka hapur procedurën hetimore me emrin “Titaniku”, ku veç Themelkos akuzohen për manipulime zgjedhore edhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të Maqedonisë.

Prokurorja Fatime Fetai tha se, hetimi është hapur për shkeljen e së drejtës zgjedhore, ryshfetet gjatë zgjedhjeve, apo shkatërrimin e materialeve zgjedhore në vitin 2012.

“Për disa persona të tjerë, masa e paraburgimit është caktuar edhe për arsye të tjera. Respektivisht për shkak të mundësisë së përsëritjes së veprës, kurse njëri nga personat me shtetësi të dyfishtë është arrestuar për shkak se rrezikon të largohet. Ne sapo kemi marrë informacionin se, ai person është arrestuar me urdhër të prokurorit publik dhe ka dalë para gjykatës, në sektorin për krimet e organizuara në Gjykatën Themelore ‘Shkupi 1’”, tha Fatime Fetai, prokurore.

Të dyshuar për parregullsitë e shumta zgjedhore janë edhe ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, dhe ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, e cila është akuzuar nga opozita maqedonase se ka pajisur qindra banorë të Pustecit me letërnjoftime false, për të votuar në Maqedoni.

Ndërkohë, hetim është hapur edhe kundër 5 gjykatësve nga Gjykata Administrative në Shkup dhe 4 anëtarëve të KSHZ-së nga viti 2013, për veprën penale të “shpërdorimit të pozitës zyrtare”. Hetim ka edhe për disa anëtarë të Komisionit komunal të Çairit, për veprën e “mashtrimit zgjedhor”.

Themelko u shpall kryebashkiak i Pustecit gjatë zgjedhjeve të 2015-s, pasi subjekti për të cilin kandidonte, Partia Aleanca Maqedonase, hyri në koalicion me forcat në pushtet, Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Bashkia e Pustecit është një nga bashkitë e Qarkut të Korçës. Këtë të premte, kryebashkiaku Themelko duhej të paraqitej në një mbledhje të Këshillit Bashkiak, por pa mundur dot për shkak të arrestimit gjatë paradites. Sipas medias maqedonase, çështja gjyqësore “Titanik” është e para e nisur nga Prokuroria Speciale në Shkup.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA