Po cilësohet si revolta e dytë e tunizianëve ajo që ka nisur në qytetin islamist Kaserine dhe që në bazë ka punësimin dhe varfërinë e lartë, njësoj si ajo e vitit 2011.
Mijëra protestues të papunë mbushën rrugët e Kaserinës dhe u përleshën dhunshëm me policinë, ndërsa protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera, madje edhe në kryeqytetin Tuniz. Mësohet se të paktën një polic ka humbur jetën në përballjet me protestuesit.
Analistët thonë se protestat aktuale kujtojnë ato të vitit 2011, madje fakti që nisin nga Kaserina është edhe më shqetësues, pasi nga ky qytet kanë dalë mbi 6 000 luftëtarë që janë pjesë e Shtetit Islamik. Megjithatë, protesta nuk duket të ketë të bëjë fare me fenë, por me nevojat e përditshme të njerëzve. Protestuesit e zemëruar thonë se nuk shohin asnjë shpresë për të ardhmen, me një qeveri që ka emra të regjimit të vjetër, madje disa prej tyre thanë se më mirë të kishin mbajtur ish-presidentin Ben Ali, pasi ata që kanë ardhur thjesht po pasurohen për vete.
Në fakt, në protestë nuk kërkohet liri, por punë. Diplomatë, të diplomuar dhe profesionistë janë në krye të protestave dhe pasohen nga mijëra të rinj pa punë që nuk kërkojnë asgjë të jashtëzakonshme. Ata akuzojnë autoritetet e larta që nuk kanë sjellë asnjë ndryshim. Analistët i japin të drejtë pasi me një president 89-vjeçar, një kryetar parlamenti 81-vjeçar, një kryetar opozite 75-vjeçar dhe kryeministër 66-vjeçar, duket se vetëm Ben Ali është larguar, ndërsa sistemi i dështuar i dikurshëm ka mbetur në vend.
Organizatorët e protestës thonë se nuk bëhet fjalë për një revoltë të dytë si ajo e Pranverës Arabe, por për kërkesa të drejta. Megjithatë, kaosi dhe trazirat në rrugë i ngjashëm shumë atyre të 5 viteve më parë.
Top Channel