Uji toksik në Flint, Obama: Nuk mund t’i rrudhim shërbimet

21/01/2016 10:30

Uji toksik i qytetit të Flintit ishte një nga shqetësimet kryesore të Barak Obamës gjatë ndalesës në shtetin e Miçiganit të mërkurën.

Edhe pse vizita në Detroit kishte për qëllim të nxirrte në pah rimëkëmbjen e industrisë së automobilëve, fjalën e tij në kompleksin e përbashkët të General Motors-United Auto Ëorkers, Obama e nisi me katastrofën e ujit të kontaminuar që i dha jetë akuzave për neglizhencë qeveritare dhe mbulimin e turpshëm të situatës së rëndë në qytetin e banuar kryesisht nga afro-amerikanë.

“Po të isha një prind në Flint, do të shqetësohesha për shëndetin e fëmijëve të mi. Ajo që po ndodh në këtë qytet na kujton edhe një herë se qeveria nuk mund t`i rrudhë shërbimet bazike që u ofrojmë ne njerëzve tanë”, u shpreh presidenti amerikan.
 
Që prej shpërthimit të skandalit, guvernatori Rick Snyder përballet me zërat që kërkojnë dorëheqjen e tij. Garda Kombëtare dërgoi trupa shtesë në qytetin Flint, ku uji rezulton aq i ndotur me plumb saqë nuk mund të përdoret për t’u larë apo pirë. 70 anëtarët e saj ndodhen në qytet për të ndihmuar t`iu shpërndahet ujë i pijshëm, filtra e pajisje testuese rreth 100 mijë banorëve të cilët nuk mund të përdorin më ujin e rubinetit.

Banorët në Flint kishin kohë që ankoheshin për aromën e çuditshme dhe ngjyrën e ujit që dilte nga çezmat, por asgjë me sa duket nuk u bë për gati një vit. Fëmijët në zonë rezultojnë me nivele të larta të plumbit në gjak, çfarë do të thotë se rrezikojnë të pësojnë dëmtime të përhershme në tru.

Snyder i kërkoi Obamës ta cilësojë krizën “katastrofë federale”, klasifikim ky që do ta vendoste në të njëjtin nivel me fatkeqësitë natyrore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA