Gjermania do t’i shtrijë për një periudhë të pacaktuar kohe kontrollet kufitare. Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere e bëri të qartë se kërkon uljen drastike të numrit të refugjatëve që hyjnë në vend, e pas mbërritjes së 1,1 milionë azilkërkuesve në 2015-n, ruajtja e të njëjtit ritëm pranimesh edhe këtë vit, sipas tij, thjesht nuk është e mundur.
“Në muajin gusht thash se do të vinin rreth 800.000 refugjatë. Në Afganistan, kjo u interpretua sikur Gjermania po i bën ftesë 800.000 afganëve. Unë sot po flas për një reduktim të ndjeshëm të numrit të pranimeve dhe këtu s’ka vend për intepretim. Shifra do të jetë shumë më e vogël nga ç’ka qenë vitin e kaluar”, deklaroi De Maiziere.
Ndërsa pohonte zgjatjen e kontrolleve kufitare pa një afat të përcaktuar kohor, De Maiziere shtoi se zyrtarët vendas janë të përgatitur të regjistrojnë çdo emigrant që hyn në territorin gjerman.
“Kontrollet do të vazhdojnë dhe ne do të kthejmë mbrapsht çdo person që nuk është i pajisur me dokumente të vlefshme hyrëse e nuk aplikon për azil në Gjermani”, tha De Maiziere.
Që nga fillimi i janarit, në Gjermani kanë mbërritur mesatarisht 2.000 refugjatë në ditë, njoftoi ministri i Brendshëm, duke shtuar se ky numër do të zvogëlohet edhe më shumë.
Një ditë më parë, autoritetet në Austrinë fqinje vendosën zyrtarisht një kufi për nivelin e pranimeve, duke sqaruar se në 2016-n nuk do të marrin më shumë se 37,500 azilkërkues.
Ata gjithashtu janë shprehur në favor të kontrolleve të rrepta kufitare, me qëllim që t’iu ndalojnë emigrantëve hyrjen e paligjshme në vend.
Top Channel