Tahiri letër CdS dhe Daily Mirror: Shkrimi, një tullë në murin e mosbesimit

19/01/2016 14:40

Pas publikimit të shkrimeve për Shqipërinë, tek Corriere TV në Itali dhe Daily Mirror në Britani, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u ka dërguar letër redaksive të lajmeve të të dy mediave.

“Jam i bindur që nuk jam i vetmi shqiptar që ndihet keq nga të pavërtetat që u pasqyruan, siç besoj se çdo italian apo qytetar i çdo vendi të botës që ka pasur mundësinë të njohë sadopak Shqipërinë, është ndier keq nga pasqyrimi thelbësisht i shtrembëruar i realitetit shqiptar në reportazhin tuaj”, shkruan ministri.

Ministri Tahiri i quan shpikje shkollat për militantët e ISIS apo mbi 1 mijë rekrutë të paguar e të gatshëm për luftë, duke i quajtur një tullë në murin e mosbesimit.

“Në këtë rast, të pavërtetat e raportuara prej jush për Shqipërinë, duke shpikur shkolla për militantët e ISIS apo mbi 1000 rekrutë të paguar e të gatshëm për luftë, janë një tullë më shumë në murin e mosbesimit që na bën gjithmonë e më të paaftë për të fituar kohën që kemi humbur duke parë si kërcënim njëri-tjetrin, e kësisoj, të paaftë për të fituar kundër kërcënimit terrorist”, nënvizon ministri i Tahiri.

Ai shton se Shqipëria ka një popullsi me shumicë muslimane, por është verbëri të mjaftohesh me kaq për të imagjinuar rrezik terrorizmi në vendin tonë.

“Ndaj, i nderuar, më lejoni t’ju siguroj se shqiptarët krenohen me vlerat e çmuara të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, një shembull unik që veç krenarisë, ka rrënjosur tek çdo qytetar shqiptar vullnetin për të mos pranuar frikën dhe kërcënimin e terrorit, por kurajon e forcën për të ndërtuar bashkëpunimin me çdo shoqëri të lirë që luftën kundër terrorizmit e fiton më së pari me vlera e besim, pastaj me armë”, shkruan Tahiri.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA