Sulmi në Burkina Faso, Al Kaeda merr përsipër përgjegjësinë

19/01/2016 11:30

Al Kaeda në Magrebin islamik mori përgjegjësinë e masakrës së Uagadugusë në Burkina Faso e publikoi dhe fotot e muxhahedinëve protagonistë të sulmit:  Al-Battar Al-Ansari, Abu Muhammad al-Buqali dhe Ahmad al-Fulani ishin tre nga sulmuesit që mbanin breza me eksplozivë në trup.

Janë shumë të rinj, ashtu siç ishin dhe atentatorët që mësynë në muajin nëntor hotelin “Radisson Blu” në Bamako të Malit. Një nga terroristët, siç pohohet në deklaratën e lëshuar nga grupi ekstremist, i përket etnisë Fulani, të vendosur më së shumti në Afrikën Perëndimore.

Një fakt i tillë ushqen bindjen e ekspertëve se rrjeti terrorist përdor elemente lokale për arsye operative e qëllime propagandistike, me synimin ta zgjerojë akoma më shumë bazën e tij. Rekrutimi i të rinjve afrikanë bëhet duke shfrytëzuar varferinë ekstreme, diskriminimin e kontrastet shoqërore. Përgjatë këtyre viteve, Al Kaeda ka rezistuar falë lidhjeve të ngushta me klanet rajonale, të çimentuara në disa raste edhe nga martesat mes militantëve dhe grave të zonës.

Një sistem i tillë është adoptuar jo rrallëherë  nga ndjekësit e Murabitun, grupi i udhëhequr prej Mokhtar Belmokhtarit por që sot vepron nën flamurin e Al Kaedës. Militantët e tij ishin pjesë e sulmit kundër hotelit “Splendid” dhe barit “Cappuccino”, ku humbën jetën 29 persona të 18 kombësive të ndryshme. Mes tyre edhe 9-vjeçari Michel Santomenna, djali i vetem i pronarit të kafenesë së shkatërruar. Deklarata e Al Kaedës e përshkruan ngjarjen e javës së kaluar si “një pikë gjaku në detin e Xhihadit” e lëshon kërcënime të forta, që lënë të kuptohet se grupi mund të jetë duke përgatitur sulme të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA