Steinmeier: Mbyllja e kufijve s’është zgjidhje

19/01/2016 16:05

“Mbyllja e kufijve nuk e zgjidh krizën e refugjatëve në Europë”, deklaroi të martën shefi i diplomacisë gjermane Frank-Walter Steinmeier, duke i qendruar kështu linjës së kancelares Angela Merkel, e cila po përballet me presione gjithmonë e më të mëdha edhe nga radhët e koalicionit të saj qeverisës.

Sinjalet e distancimit nuk vijnë vetëm nga CSU-ja e Horst Seehoferit, por edhe nga CDU-ja. Pakënaqësia ndaj politikës së dyerve të hapura të shefes së ekzekutivit sa vjen e shtohet, megjithatë Steinmeier u përpoq të bindë opinionin se zgjidhja e këtij ngërçi nuk qëndron tek mbyllja e kufijve të vendit, ashtu siç sugjeroi ministri i Transporteve.

E rëndësishme, sipas kryediplomatit gjerman, është të marrë fund konflikti në Siri e të bashkëpunohet me fqinjët e këtij vendi për menaxhimin e fluksit të refugjatëve. Në të njëjtën kohë, sipas Steinmeierit, duhet vazhduar ngritja e hotspot-eve në Greqi e Itali për të kontrolluar të porsardhurit në Kontinentin e Vjetër.

Ideja e pezullimit, qoftë edhe të përkohshëm të Shengenit, ka shkaktuar mjaft shqetësim. Por marrëveshja që bëri të famshëm fshatin e vogël me vetëm 500 banorë të Luksemburgut, është simbol i lëvizjes së lirë në Europë. Në diskutim nuk është rikthimi i regjimit të vizave. Në 2015-n, pakti mbushi 30 vjet, e pikërisht në këtë jubile, ujdia p?r heqjen e kontrolleve kufitare brenda BE-s? u vu nën një breshëri kritikash si kurrë më parë.

Liria e lëvizjes, që deri vonë shihej si një avantazh i jashtëzakonshëm, tani rrezikohet nga vërshimi i emigrantëve. “Do presim deri në mars, e mbase dhe deri në verë për një zgjidhje europiane”, citon e Huffington Post një zyrtar gjerman që flet në kushte anonimati. “Pas kësaj, thotë personi në fjalë, do të shohim si shkon me Shengenin”.

Komisioneri Europian i Emigracionit, Dimitris Avramopoulos e pohoi përpara Parlamentit Europian javën e kaluar se situata po shkon drejt përkeqësimit dhe se kriza e refugjatëve është duke kërcënuar vetë “bërthamën e Bashkimit Europian”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA