Në Saksoni quhet “FTL/360”, në Meklenburg mban emrin “Vigilante Güstrow” dhe mes liderëve të tij është edhe një përfaqësues i Partisë Nacional-Demokrate.
Pas incidenteve të Këlnit, në pjesë të ndryshme të Gjermanisë kanë nisur të krijohen të ashtuquajturit “grupe të mbrojtjes qytetare”.
“FTL/360” mori formë në ditët që pasuan ngacmimin dhe rrahjen e disa nxënësve të një linje autobusi të qytetit Fraital nga dy shtetas marokenë.
Që nga ai moment, pjesëtarët e grupit patrullojnë stacione autobusësh dhe kontrollojnë edhe mjete me qëllimin që të kujdesen, siç thonë, për “qetësinë dhe rendin”.
Në Shvanenvede të Saksonisë së Poshtme, vjeshtën e kaluar “rojet e fqinjësisë” marshuan gati në demonstrim force para një strehe refugjatësh.
Për nisma të tilla ka kufij të fortë ligjorë. Siguria e brendshme është përgjegjësi e policisë dhe jo çdokush mund të marrë përsipër sipas dëshirës rolin e zbatuesit të ligjit.
Shërbimi i fshehtë gjerman në disa raste sheh dhe afërsi me ekstremizmin e djathtë. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme gjermane citohet nga “Deutsche Welle” të thotë se duhet frenuar me çdo kusht ndërtimi i strukturave paralele, qoftë edhe në vende të caktuara.
Por një grup i mbrojtjes qytetare nuk është ilegal që në ide. Kur fqinjët mblidhen dhe ruajnë zonën ku banojnë, për të penguar vjedhjet, nga ana ligjore kjo është në rregull.
Ama, atyre nuk u lejohet të armatosen, të përdorin dhunën apo të kontrollojnë në trup një të dyshuar si hajdut, ose t’i verifikojnë dokumentat, as atëherë kur ai ka ngjallur dyshime.
Vetëm kur personi kapet në flagrancë ke të drejtë ta mbash mbërthyer, deri sa të vijë policia, e drejtë kjo që e gëzon çdo qytetar i thjeshtë në vend.
Top Channel