Fiks Fare vijoi edhe këtë të mërkurë denoncimin e parregullsive, abuzimeve dhe korrupsionit që ka goditur sot sistemin gjyqësor shqiptar.
Ndalesa e kamerave të Fiksit ishte sërish Korça, ku përveç “problemeve tradicionale” të zvarritjes së proceseve gjyqësore, ndodh edhe që të të bëjnë vëlla atë që ke paditur, duke e përdoru këtë fakt si argument për të rrëzuar pretendimet e paditësit.
Dy vjet më parë, Fotini Çobaj u paraqit në redaksinë e Fiks Fare duke pretenduar shkelje të rënda proceduriale dhe ligjore gjatë një procesi gjyqësor në Gjykatën e Korçës, të nisur mbi një kontratë huaje me Kristaq Kafexhi.
Fotini Çobaj thotë se ky shtetas i ka hua një shumë prej 300 milionë lekësh dhe më datë 11 janar të 2011, si pjesë e kontratës së huasë së nënshkruar, shtëpia e Kristaq Kafexhi kaloi në pronësinë e saj.
“Pas tri ditësh më vjen një person tjetër tek puna ime dhe më thotë: ‘që të lahemi bashkë do më japësh 5 milionë lekë që të mos hedh në gjyq’. Fleta e gjyqit ishte për të rrëzuar veprimet përmbarimore sepse Kristaq Kafexhi ka dalë me një deklaratë të njëanshme noteriale, ka revokuar atë që pretendon se ky është debitor”, thotë zonja Çobaj.
Pas një sërë procesesh gjyqësore që nuk kanë përfunduar ende, Fotini Çobaj dhe Kristaq Kafexhi, pa asnjë lidhje farefisnore me njëri-tjetrin, me vendim numër 45 të Gjykatës së Apelit në Korçë, janë “motër e vëlla”.
Trupi gjykues, me gjyqtare kryesuese, Brunilda Orhani arsyeton se janë deklaruar të pavlefshme veprimet juridike përmbarimore.
Top Channel