Moratoriumi për pyjet; qeveria premton sërish ligjin, por prerjet vazhdojnë

11/01/2016 12:35

Prerja e pyjeve në Shqipëri po vijon edhe pse qeveria po përgatitet për te kaluar në seancën e ardhshme parlamentare moratoriumin 10-vjeçar të pyjeve.

Ditët e fundit të dhjetorit të vitit 2015, në të njëjtën kohë kur në tryezat e deputetëve të komisioneve parlamentare po diskutohej moratoriumi, Ministria e Mjedisit miratoi disa liçenca të reja për prerje pyjesh.

Leja e tyre e shfrytëzimit është e ligjshme derisa Parlamenti të kalojë moratoriumin, çka vë në dyshim mënyrën e tyre të shfrytëzimit për një periudhë kohore kaq të vogël. Kryeministri Edi Rama, ndërsa deklaroi vendimin për miratimin e moratoriumit 10-vjeçar, pohoi se pyjet janë shftytëzuar ilegalisht dhe se në këto afera ka patur edhe zyrtarë.

“Pyjet janë shkatërruar edhe për shkak të një aktiviteti kriminal intensiv, të zhvilluar në ilegalitet dhe në bashkëpunim me struktura që duhet t’i kishin mbrojtur pyjet. Rastet kur qytetarët, mediat apo kontrollet e ushtruara nga ministritë kanë denoncuar abuzimin me pyjet kanë nxjerrë të përfshirë në këtë aktivitet ilegal edhe inspektorë e nënpunës të shtetit”, deklaroi Rama.

Rama tha se në seancën e parë parlamentare do të miratohet moratoriumi i pyjeve. “Presim me padurim hapjen e sesionit të ri për të miratuar moratoriumin, për të cilin na është dashur të diskutojmë gjatë me grupe interesi që preken nga kjo masë drastike, por edhe me deputetë, të cilët në mënyrë të pakuptueshme i janë kundërvënë moratoriumit 10-vjeçar dhe paketës së ndëshkimit të krimit”, tha Rama.

Nga ana tjetër, kreu i Ministrisë së Mjedisit, Lefter Koka tha se ky moratorium është i domosdoshëm për vendin.

“Ne vijojmë të kemi një dizekuilibër të shfrytëzimit të pyjeve me ringjalljen natyrore të tyre. Pavarësisht se kemi mundur të ulim 3 apo dyfish shfrytëzimin e tyre, sërish është një raport i zhdrejtë që zgjat kohën por nuk zgjidh në mënyrë radikale problemin. Prandaj ky moratorium do t’i japë zgjidhje këtij problemi”, tha Koka.

Vetëm gjatë periudhës 2007-2013, përmes prerjeve me dhe pa leje, janë shkatërruar mbi 216 mijë hektarë pyje. Studiuesit vërejnë se shkatërrimi i pyjeve është një nga shkaktarët kryesorë të rritjes së shkallës së përmbytjeve në të gjithë territorin e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA