Rikthehen pas 2011-s varrezat e makinave anës rrugëve

29/12/2015 16:05

Më 4 tetor 2011, pas shumë debatesh dhe me vendim të qeverisë së atëhershme, kaloi në Kuvend ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Ish-kryeministri Berisha kërkoi që varrezat e makinave të largoheshin 5 kilometra nga rrugët nacionale. “Janë kodrat e ndryshkut që janë ngritur kudo nga automjetet e hedhura. Ato do të zhduken me një shpejtësi të madhe”, deklaroi atëherë Berisha.

Pas kësaj fushate mediatike dhe një aksioni shtetëror, pjesa më e madhe e pronarëve të këtyre varrezave makinash e zhvendosën aktivitetin, ose makinat e vjetra u sekuestruan.

Por, sapo aksioni përfundoi, disa muaj më pas ato u rikthyen pranë rrugëve. Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, mjaft i debatuar, mbeti në letër dhe i pazbatueshëm në pjesën më të madhe të tij edhe sot.

Inspektoriati i Mjedisit ka deklaruar se deri në fund të janarit të vitit 2016 nuk do të ketë asnjë subjekt që merret me grumbullimin dhe trajtimin e mjeteve të dala nga qarkullimi 1 kilometër nga rrugët nacionale të vendit.

“Inspektoriati ka dalë të verifikojë këto subjekte dhe nga 212 të tilla, 144 janë larguar. Ndaj 27 të tjerave të cilat nuk janë larguar është marrë masa e ndëshkimit me gjobë, me vlerë 165 milionë lekë. Ndërkohë po vijon kontrolli i gjithë subjekteve me vendim të KM, të marrë dy vjet më parë dhe nuk do të ketë më subjekte që ushtrojnë aktivitetin 1 km nga rrugët kryesore”, ka deklaruar kreu i inspektoriatit, Ergys Agasi.

Në kuadër të planit të masave kundër informalitetit në fushën e transportit, e cila është miratuar në tetor të këtij viti, kërkohet që 1 kilometër nga rrugët nacionale nuk duhet të ketë subjekte të paliçencuar që grumbullojnë dhe trajtojnë mjete të dala jashtë qarkullimit dhe kanë aktivitet ekonomik të parregulluar.

Subjektet që do të refuzojnë zbatimin e këtij vendimi deri në fund të janarit do t’u sekuestrohet i gjithë malli. Inspektorët e mjedisit kanë gjobitur 27 subjekte me një vlerë monetare prej 165 milionë lekë të vjetëra.

Nuk dihet nëse ky do të jetë aksioni i radhës. Por falë veprimit të shtetit me fushata, pronarët e këtyre sipërmarrjeve, me gjithë aksionet agresive të qeverisë, jo vetëm u rikthyen në anë të rrugëve, por edhe më të fuqishëm, duke kërcënuar madje me jetë edhe gazetarët që guxojnë të afrohen pranë fushave të grumbullimit të makinave të vjetra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA