Projektbuxheti i 2016-s për Tiranën, LSI dorëzon propozimet e saj

29/12/2015 00:00

Një ditë përpara mbledhjes së fundit për vitin 2015 të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku pritet të diskutohet dhe projektbuxheti për vitin 2016, Lëvizja Socialiste për Integrim ka paraqitur një paketë me propozime të grupit të këshilltarëve të saj, e cila është miratuar edhe në Komisionin e Ekonomisë së Këshillit Bashkiak.

“Nga takimi me organizatat e shoqërisë civile rinore u vlerësuan si të domosdoshme: shtimi i qendrave rinore, duke filluar nga njësitë periferike drejt qendrës; nxitja e formimit profesional, në veçanti për zonat rurale, me anë të bursave; për studentët, bashkia duhet të angazhohet në kuadër të përmbushjes së detyrimeve, që rrjedhin nga ligji i Arsimit të Lartë për kartën e studentit”, thuhet në njoftimin e LSI-së.

Më tej, këshilltarët bashkiakë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë listuar dhe një sërë problematikash, të cilat kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë, me të cilat janë njohur gjatë takimeve të zhvilluara në të 24 njësitë administrative të Tiranës.

“Një problematikë për të gjitha ish-komunat është vendosja e shërbimit urban, si dhe përcaktimi i tarifave mbi bazën e kilometrave. Në ish-komunat që nuk ka çerdhe, duhet marrë në konsideratë ndërtimi i tyre si ambiente të lidhura me kopshtet dhe shkollat”, mbyllet njoftimi i LSI-së.

Top Channel