Kosovë, guvernatori i BQK-së: Rritja ekonomike 3,5 për qind

29/12/2015 00:00

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, në konferencën e fundit për këtë vit deklaroi se, Kosova po e mbyll vitin me një normë rritjeje prej 3.5 për qind. Sipas Hamzës, remitancat, investimet e huaja dhe kreditimi kanë ndikuar në normën e rritjes ekonomike.

Hamza tha gjithashtu se, sipas të dhënave të BQK-së, investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë arritur deri tani në mbi 300 milionë euro.

“Nëse i referohemi rritjes së kreditimit, rritjes së remitancave, rritjes së investimeve të huaja direkte dhe faktorëve të tjerë, që ndikojnë në rritjen ekonomike, vlerësimet e Bankës Qendrore janë se rritja ekonomike për vitin 2015 do të jetë diku te 3.5 për qind”, tha Bedri Hamza, guvernator i BQK-së.

Ndër arritjet e këtij vitit, sipas guvernatorit të BQK-së ishte rritja e kreditimit në prodhim dhe bujqësi, ndërsa bëri të ditur se bankat këtë vit kishin më pak të ardhura. Në fund, guvernatori Hamza ka ndarë tri çmime fituese për punimet më të mira për ekonomistët e rinj.

Top Channel