VV, Dërguti: Pushteti në “grahmat” e fundit, përdor represionin

27/12/2015 00:00

Pas arrestimit të Nol Nushit, koordinator i sekretariateve të Lëvizjes Vetëvendosje, nënkryetarja e kësaj lëvizjeje, njëherazi nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti doli këtë të dielë në një konferencë për mediat, ku akuzoi pushtetin për arrestime që ajo i cilësoi si politike.

Dërguti deklaroi se, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, të vetëdijshëm se janë në fund të pushtetit nuk po ndalin represionin.

“Vetëm në vendet totalitare dhe policore ndodh që pushteti, në mungesë të argumenteve, përdor dhunën ndaj opozitës. Si pasojë e kësaj, 13 deputetë janë të përndjekur, 3 prej tyre në burg dhe afro 20 aktivistë gjenden gjithashtu në burg”, tha Aida Dërguti, nënkryetare/deputete e Vetëvendosjes.

Dërguti tha se, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është vërtetuar se, veprimet e opozitës janë në mbrojtje të Republikës, ndaj dhe i bëri thirrje policisë të mos u binden urdhrave – siç tha ajo, – të kundërligjshme.

“Në këto rrethana, më 9 janar fillon fundi i këtij sistemi totalitar dhe antikushtetues. Më 9 janar qytetarët, në mënyrë masive do ta kundërshtojnë këtë qeveri kriminale, që i shërben vetëm interesave të Serbisë. Prandaj, deri në rënien e kësaj qeverie, i bëj thirrje policisë që të mos u bindet urdhrave që janë të kundërligjshme, politike, qeveritare për arrestimin e aktivistëve, që i dolën në mbrojtje Republikës”, tha Aida Dërguti.

Ndërsa zyrtari për Informim në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha, i kontaktuar nga Top Channel tha se, Policia ka realizuar detyrën e saj në bazë të një udhërarresti të lëshuar nga organet kompetente të drejtësisë.

Top Channel