Restaurohet për Krishtlindje Kisha e Karavastasë

25/12/2015 00:00

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka uruar Krishtlindjet nga Kisha e Shën Thanasit në Karavasta, ku vizitoi ambientet e restauruara.

Kisha është shpallur monument kulture që në 1963, dhe restuarimi i nisur ditën e Pashkës, kushtoi 170 milionë lekë.

Tashmë, Kisha e Shën Thanasit do të jetë një itinerar artistik për të dhënë koncerte nga TOB, për banorët dhe turistët.

“Qeveria shqiptare ka një plan të tërë, dhe ka filluar që prej dy vjetësh restaurimin e shumë siteve të trashëgimisë kulturore të harruara prej 25 vitesh. Dhe sot që flasim kemi 9 kantiere kishash ortodokse që kanë mbaruar në të gjithë vendin”, tha ministrja Kumbaro.

“Bëmë një premtim ditën e Pashkës me Mirelën dhe të gënjesh në shtëpinë e zotit, apo të gënjesh në një ditë të shënuar të zotit ishte shumë e rëndë prej nesh. Çdo ditë e kishim me shqetësim të madh nëse do e kapnim afatin që i vumë vetes, Krishtlindjeve të këtij viti. Ti kthenim Shqipërisë një nga thesaret më të mira të historisë së vet, kulturës së saj,besimit të saj për tia treguar jo vetëm atyre që edhe pak kilometra nga këtej nuk e dinin që kjo ishte. Por një Shqipëri e tërë dhe sot me kënaqësinë më të madhe dua tu them bëhuni gati të prisni njerëz”, tha deputeti Erjon Braçe.

Kisha e Shën Thanasit në Karavasta është ndërtuar më 1778 dhe në 1797 u pikturua nga vëllezërit Joan dhe Gjergji Katro. Në 1963 është shpallur monument kulture nga qeveria komuniste. Që nga ndërtimi i kishës, ky është restaurimi i parë që iu bë.

Top Channel