Kur fokusi mbetet vetë qytetari

25/12/2015 00:00

Vangjel Tavo – Teksa presim ndërrimin e viteve, zemra e çdo shqiptari është e mbushur me shpresën që viti i ri do të jetë më i mirë nga ky që po lëmë pas.

Shqiptarët shpresojnë që gjatë vitit të ri, vendi të bëjë hapa përpara drejt integrimit të plotë në familjen europiane. Çdo shqiptar e di fare mirë që pas trokitjes së gotave në dollinë e ndërrimit të viteve vjen jeta e përditshme, si zakonisht, me shqetësimet e saj, megjithatë ai apo ajo zotohet me mendje e zemër që, do të përpiqet të jetë njeri më i mirë dhe qytetar më i dobishëm për komunitetin.

Edhe politika duhet të bëjë reflektimin dhe zotimin e saj. Edhe ajo duhet të jetë më e mirë, më me integritet dhe më europiane në sjellje dhe praktikë. Duhet që edhe ajo të reflektojë në këtë ndërrim vitesh dhe të ketë në qendër të misionit të saj qytetarin e thjeshtë.

Pas dy dekadash të një rrugëtimi të mundimshëm, shqiptarët e meritojnë Europën më natyrshëm se sa kurrë. Politika shqiptare duhet të bëhet mjeti dhe mekanizmi i kësaj ëndrre shekullore, duke ndjekur një filozofi të matur politike dhe një qëndrim konstruktiv, të shoqëruar me retorikë politike plot integritet e fisnikëri, siç i ka hije një politike europiane.

Shqipëria nuk është më vendi i izoluar dhe i harruar i globit. Ne sot kemi shumë miq, sikurse është parë gjatë muajve të fundit nga trupa diplomatike e huaj në vendin tonë, të cilët na inkurajojnë të ecim më shpejt drejt rrugës së integrimit. Sot nuk kemi më një brez që kërkonte vetëm lirinë dhe mbi të të ndërtonte me ngadalë mirëqenien, por kemi një brez progresiv që kërkon standarde. Dhe jo thjesht standarde minimale, por tërësisht europiane.

T’i shërbesh qytetarit është privilegj. Me këtë privilegj vjen edhe përgjegjësia. Ndaj, është përgjegjësia e politikës të vendosë në qendër qytetarin dhe të tregohet e përgjegjshme për të kontribuar, pavarësisht ndarjeve partiake, filozofisë qeverisëse apo opozitare, në përftimin e sigurisë ekonomike, në shëndetësi, arsim, rend, punësim, etj.

Gjatë 20 viteve në politikë kam mësuar çdo ditë e më shumë se respekti, përkujdesja dhe vlerësimi ndaj qytetarit, si dhe dëgjimi i shqetësimeve dhe ngritja e zërit për problematikat e komunitetit përbëjnë thelbin dhe misionin e politikës. Politika është mjeti për të realizuar ëndrrat e brezit të ri, për të siguruar standarde sa më të mira jetese për qytetarin dhe për të ngritur strategjinë e zhvillimit për sfidat e së ardhmes. Qytetari i thjeshtë duhet të jetë fokusi dhe misioni i çdo politikani, në të kundërt politika shndërrohet thjesht në një profesion pa asnjë impakt për vendin.

Shqipëria është në zemër të Europës dhe shqiptarët janë europianë, jo vetëm gjeografikisht, por edhe me zemër. Rinia shqiptare ëndërron si europiane dhe meriton të ketë të njëjtat kushte e mundësi për ta ndërtuar të ardhmen njëlloj me bashkëmoshatarët e tyre në BE. Jam krenar për rininë tonë dhe i inkurajuar nga risia e mendimit që ajo ofron. Rinia sjell inovacion, sjell progres, ajo është shpresa dhe e ardhmja e vendit. Ndaj ajo meriton më shumë shanse për edukim, punësim dhe karrierë. Të dëgjosh shqetësimet dhe idetë e të rinjve duhet të jetë përkushtimi dhe inspirimi i çdo politikani dhe vetë politika duhet të krijojë kushte të atilla që brezi i ri të jetojë e të punojë me parime globale dhe jo provinciale, si qytetarë të botës dhe jo të ndrydhur si në një periferi jashtë civilizimit.

Shqiptarët janë një komb i drejtë dhe i vuajtur. Pavarësisht shumë kapitujve të shtypjes apo diktaturave në historinë e këtij vendi, shqiptarët gjithmonë kanë jetuar me shpresë. Ndaj le të zgjohet politika dhe të ushqejë shpresën në zemrat e shqiptarëve, e të kthejë besimin që ëndrra europiane nuk është një mirazh në shkretëtirë, por një objektiv i qartë dhe i afërt.

Gjëja më e keqe që mund të bëjë dikush në jetën e tij është të bëjë asgjë. Politika nuk mund të pluskojë në habitatin e vet 25-vjeçar, por të tregohet e guximshme dhe fisnike, të kontribuojë në shërbim të vendit. Sesioni parlamentar i dimrit u mbyll me një hap kurajoz drejt të ardhmes: dekriminalizimi. Gjithashtu, mjedisi politik duket se ka marrë pozicionin e duhur edhe për reformën në drejtësi. Kësisoj, le të vazhdojë fryma e dekriminalizimit edhe në retorikën e përditshme politike e parlamentare, dhe të punojmë që të arrihen sa më shumë reforma të rëndësishme për vendin. Tek i afrohemi ndërrimit të vitit, çdo politikan le të zotohet me mendjen dhe zemrën e tij se do t’i shërbejë më shumë dhe më mirë qytetarit. Një politikë emancipuese, progresive dhe europiane do të ishte dhurata më e mirë e vitit të ri për të gjithë shqiptarët.

Gazeta “Shqip”

Top Channel