Gjyqtarët e prokurorët për reformën: E mbështesim. Konsultimet, fasadë

24/12/2015 12:15

Atëherë kur ministri i Drejtësisë po i referohet sa më shpesh të mundet shprehjes “E di i zoti i shtëpisë ku i pikon çatia”, shoqatat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve u mblodhën në ministri për të thënë fjalën e tyre për reformën në drejtësi.

Sipas të pranishmëve në takim, zëri i tyre nuk po ngrihet për të kundërshtuar këtë reformë, por për të këmbëngulur që ndryshimet ligjore të jenë të duhurat dhe t’i shërbejnë sa më mirë drejtësisë.

Drejtuesit e këtyre shoqatave, sqaruan se përse takimet e deritanishme për reformën nuk ishin gjithëpërfshirëse

“Nëse këtë proces do e ndajmë në faza, faza e parë ku ishte konsultimi, përgatitja dhe fotografimi i sistemit ishte një fazë që lejoi të gjithë profesionistët të shprehnin mendimin e tyre. Ndërkohë që faza e dytë na erdhi surprizë i pakonsultuar me ne. Ne kemi shprehur nxitimin për ta paraqitur këtë draft në mënyrë të pakonsultuar, dhe që solli problematikat e vërejtura dhe nga Komisioni i Venecias”, tha Gert Hoxha, kreu i Unionit të Gjyqtarëve.

“Pavarësisht se çfarë thuhet e diskutohet gjërat janë të paravendosura dhe në finale nuk ndryshuan asgjë”, tha Kastriot Gramshi, kreu i shoqatës së gjyqtarëve.

“Unioni i Prokurorëve shpreh dakordësinë e plotë me opinionin paraprak të Komisionit të Venecias, mbështetjen reale për reformën në drejtësi si të nevojshme për kushtet e vendit dhe aspiratat integruese në BE”, tha Ndini Tavani, kreu i Unionit të Prokurorëve.

“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, ashtu siç kemi pasur dhe ne rezerva për ekipin e ekspertëve të cilët janë paracaktuar”, u shpreh Saimir Visha, kreu i shoqatës së avokatëve penalistë.

Mungonte në këtë tryezë Shkëlqim Hajdari, kreu i një shoqate tjetër prokurorësh, më të vjetër dhe më aktivë deri tani në tryezat e organizuara për reformën. I pyetur nga Top Channel, Hajdari pohoi se nuk e kishte ftuar askush, duke aluduar për qëndrimet e tij publike në mbështetje të reformës.

Në draftin e dërguar komisionit të Venecias përmendën 58 ndryshime kushtetuese. Komisioni i posaçëm parlamentar organizoi një fushatë konsultimesh, por sipas përfaqësuesve të gjykatësve dhe prokurorëve, në këto tryeza më shumë kanë folur ndërkombëtarë që kanë ngritur shqetësimin për korrupsionin, sesa janë debatuar çështje teknike që lidhen me ndryshimet kushtetuese dhe pavarësinë e gjyqësorit. Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani foli sërish në mënyrë figurative për opinionet e njerëzve që ndodhen brenda sistemit të drejtësisë.

“Duhet të jemi të shqetësuar për korrupsioni ndhe duhet të jemi gjithashtu të shqetësuar që të mos i fusim të gjithë në një thes. Thirrje publike për të gjithë trupën gjyqësore të prokurorëve, që të mos shfokusohen për asnjë arsye në kryerjen e misionit të tyre kushtetues”, tha Ylli Manjani.

Shefat aktualë të drejtësisë kanë kundërshtuar tendencën për t’i konsideruar të gjithë prokurorët dhe gjykatësit të korruptuar, ndërsa faktori ndërkombëtar ka qënë më shumë se kurrë i prerë për të denoncuar të pasurit dhe të fuqishmit që frikësohen nga reforma në drejtësi.

Top Channel