Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria e Kosovës planifikon të angazhojë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por jo dërgimin e saj për rinegociim.
“Në fazat e mëtejshme do të angazhojmë ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë. Vendas, mendoj për juristët e shquar të vendit, qofshin të shoqërisë civile, të institucioneve apo edhe të partive politike. Por do të na ndihmonin edhe ekspertët ndërkombëtarë, në veçanti nga SHBA dhe BE”, tha Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.
Gjatë mbledhjes së kabinetit mëngjesin e së enjtes, kryeministri Mustafa tha se qeveria ishte këmbëngulëse, që Gjykata Kushtetuese të përfshihej në vlerësimin e kushtetutshmërisë së akteve juridike, që i paraprinin themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. E ndërsa ka ftuar spektrin politik për respektim të vendimit, kryeministri Mustafa bëri thirrje që debatet politike të kthehen brenda Kuvendit.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rikonfirmoi se, veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës ishin në mbrojtje të plotë të interesave të shtetit dhe të rendit juridik dhe nuk lanë asnjë hapësirë për t’i dhënë Asociacionit kompetenca ekzekutive, apo për të krijuar nivel të tretë të qeverisjes në Kosovë. Qeveria siguron se, i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, do të bëhet duke u bazuar te dhe duke respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese, të paraqitura në arsyetimin e aktgjykimit të saj”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se, vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet në tërësi, ndërsa bëri thirrje që ky proces të mos politizohet.
“I gjithë spektri politik kosovar duhet të marrë përgjegjësi në bazë të këtij vendimi, të japë kontributin për fuqizimin e këtij procesi dhe në të njejten kohë, ky proces të mos politizohet, por të respektohen aktet juridike. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qartësuar shumë mirë se, ky Asociacion nuk ka karakter ekzekutiv, legjislativ, apo të një pushteti të nivelit të tretë në asnjë rrethanë”, tha Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër i Kosovës.
Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri qartësoi se, në asnjë pikë nuk është kërkuar që marrëveshja për Asociacionin të shkojë në rinegociim, ndaj dhe e vlerësoi si pozitiv vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Top Channel