“Realizmi socialist shqiptar” në Prishtinë

23/12/2015 00:00

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, mbrëmjen e së mërkurës, është hapur ekspozita me piktura të periudhës së realizmit socialist shqiptar. Këto vepra që janë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Shqipëri, u prezantuan si pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor midis qeverive të dy vendeve.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisw, Mirela Kumbaro, e shoqëruar nga ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, në hapje të ekspozitës, e vlerësoi këtë si ngjarje historike për sa i përket artit shqiptar.

“Për të parën herë, të paktën pas rënies së diktaturës, kemi një ekspozitë me mbi 90 vepra nga realizmi socialist nga fondi i Galerisë Kombëtare. Është interesante të shihet pas 25 vjetësh që kemi një qasje tjetër, qasje më shumë estetike se sa politike që vjen me origjinë. Është pjesë e kalendarit Shqipëri- Kosovë 2015 të cilin e nënshkruam bashkë me ministrin e Kulturës Kujtim Shala po këtu në Prishtinë, një angazhim i dy galerive dhe pjesa më interesante e marrëveshjeve tona për kalendarin e përbashkët është se aktivitetet zhvillohen midis vetë institucioneve të arteve dhe kulturës, ministritë dhe ministrat kanë detyrë t’i mbështesin”, u shpreh Kumbaro.

Në hapjen e ekspozitës “Realizmi socialist shqiptar” në Prishtinë, nuk ishte i pranishëm ministri kosovar i Kulturës, Kujtim Shala.  Megjithatë zëvendësi i tij, Rexhep Hoti, i propozoi minstres Kumbaro që galeritë e të dy vendeve të funksionojnë si një qendër e vetme.

“Ne mendojmë se në të ardhmen nuk kemi nevojë t’i bëjmë dy qendra të galerive, por ta kemi një qendër. Duke shkuar andej nga malet e Shqipërisë, le të mendojë edhe për një propozim të dytë, që do të ishte, të dyja qendrat duhet të kishin një qendër të përbashkët financiare”, u shpreh Hoti.

Në këtë ekspozitë u prezantuan veprat e artistëve Danish Jukni, Vilson Kilica, Muntaz Dhrami, Sali Shijaku, Ksenofon Dilo, Jakup Keraj, Edison Gjergo, Ismail Lulani e të tjerë.

Ndërsa drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë, Artan Shabani, bëri të ditur që në vitin 2016, artistët bashkëkohorë të Kosovës dhe Shqipërisë do të prezantojnë veprat e tyre së bashku në Budapest. Ai e cilësoi këtë si një kartëvizitë të diplomacisë kulturore për një imazh të përbashkët.

“Realizmi socialist shqiptar” shënon edhe mbylljen e kalendarit të përbashkët për vitin 2015, i cili pati edhe iniciativa të pavarura siç është edhe koncerti i rock grupit kosovar “Gjurmët” që do të mbahet më 29 dhjetor në Tiranë.

Top Channel