Demarkacioni me Malin e Zi, opozita mbështet Jahjagën për komisionin “ad hoc”

23/12/2015 00:00

Ideja e Presidentes Atifete Jahjaga, për themelimin e një komisioni me ekspertë vendas e ndërkombëtarë, të cilët do të shqyrtonin marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, mbështetet nga subjektet opozitare.

Megjithatë, ata thonë paraprakisht se, Qeveria duhet të heqë dorë nga marrëveshja aktuale dhe të shkarkojë komisionin, që udhëhiqet nga Murat Meha.

Në anën tjetër, analistët politikë në vend thonë se, pas vlerësimit pozitiv që ka dhënë Departamenti amerikan i Shtetit për marrëveshjen e 26 gushtit, çështja e demarkacionit duhet të konsiderohet e mbyllur nga ana e Kosovës.

Departamenti për Informim në zyrën e Presidentes, ka pohuar për “Zëri”-n se, Presidentja Jahjaga ka propozuar themelimin e një komisioni “ad hoc” me ekspertë të huaj, që do të bëjnë vlerësimin e këtij procesi.

Ndërkohë, kryetarja e vendit në fjalimin e saj të përvitshëm në Kuvendin e Kosovës ka thënë se, mënyra e vetme institucionale dhe e besueshme për t’i adresuar pasaktësitë eventuale në procesin e demarkacionit është formimi i një komisioni me ekspertë të huaj.

Top Channel