Në 24-vjetorin e themelit të saj, shoqata atdhetare kulturore “Labëria” u vlerësua me çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, për kontribuitin që ka dhënë në forcimin dhe përparimin e demokracisë, si dhe për ruajtjen e pasurimin e traditave, zakoneve, kulturës dhe folklorit të trevës së Labërisë.
Në përshëndetjen e rastit, Presidenti i Republikës tha mes të tjerash se vlerësime të tilla synojnë promovimin dhe përhapjen e vlerave më të mira të trevave shqiptare si dhe mbajtjen gjallë të traditave tona të vyera identifikuese kombëtare e të trashëgimisë kulturore, duke i përçuar ato tek brezat e ardhshëm.
“Shoqata juaj, “Labëria”, ajo që fare mirë mund ta kishte pasur edhe emrin e madh dhe gjithëpërfshirës “Shoqata Shqipëria” apo edhe “Malësia e Jugut”, sepse që nga Vermoshi e deri në Konispol shqiptarët janë një, ndajnë të njëjtin gjak, të njëjtat tradita e zakone, të njëjtin përkushtim ndaj kombit dhe flamurit kombëtar”, u shpreh Nishani.
Gjithashtu, në këtë veprimtari nderimi të vlerave të rralla dhe kulturës së krahinës së Labërisë, Presidenti Nishani nderoi publicistin Ago Nezha me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, skenaristin dhe autorin Petrit Ruka me titullin “Mjeshtër i Madh” dhe Haxhi Dalipin (pas vdekjes) me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin “Për kontributin e tij të vyer në krijimin e grupeve polifonike të Labërisë”.
Top Channel