Myftiu i Librazhdit: S’jam radikal

22/12/2015 14:00

Myftiu i Librazhdit, Taulant Bica ka reaguar në lidhje me pretendimet e besimtarëve dhe të Këshillit të Myftinisë, se ka krijuar përplasje me Islamin tradicional.

Në një intervistë për Top Channel, Bica tha se nuk ka asnjë lidhje me radikalizimin dhe se protesta është e nxitur nga sekretari i shkarkuar prej Komitetit Mysliman të Shqipërisë.

“Më habit fakti që unë akuzohem si myfti i frymës radikale kur jeta dhe fjalimet e mia janë të hapura publikisht dhe nuk kanë të bëjnë me realitetin. Protesta është e drejtë që mund ta përdorë çdokush, por unë mund ta konsideroj si të pavlefshme dhe që i shërben përçarjes. Dhe përçarjen e hap një ose disa persona me miqtë e tyre”, deklaroi Bica.

Duke iu përgjigjur kërkesës së protestuesve për largimin nga detyra, Bica tha se është i gatshëm të largohet nëse mes Komunitetit Mysliman të Librazhdit krijohen përçarje.

“Nëqoftëse unë jam shkaktari i përçarjes, unë me gjithë qejf e lë detyrën sepse kam mendimin se duhet të shërbej për popullin dhe besimtarët. Por nëse verifikohet se nuk jam unë përçarësi, atëherë duhet të kërkojnë falje të gjithë ata që shpifin”, tha Bica.

Këshilli i Myftinisë së Librazhdit gjatë protestës së një dite më parë kundërshtoi gjithashtu largimin nga detyra të administratorit Xhevahir Bahiti.

Top Channel mësoi se një përfaqësi e KMSH ka qenë në qytetin e Librazhdit për të kërkuar largimin e zotit Bahiti, gjë që është kundërshtuar nga ky i fundit.

Top Channel