Kosovë, SHBA i dhuron pajisje speciale FSK-së për çminimin

22/12/2015 00:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhuron pajisje speciale për operacionet kundër minave për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në një vlerë prej afro 200 mijë eurosh.

Ceremonia u zhvillua në kazermën e kompanisë së çminimit të regjimentit të mbrojtjes civile (RMC) të FSK-së, në Prizren, ku edhe u certifikuan trajnerët për çminimin dhe eliminimin e mjeteve të pashpërthyera (EOD) dhe pastrimin e fushëbetejave.

Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Greg Delawie tha se ndihet i nderuar, që po merr pjesë në këtë ceremoni të certifikimit pas trajnimit, si dhe aftësimin e tyre për përdorimin e pajisjeve specialiste.

“Jam i nderuar, që në emër të Ambasadës amerikane dhe Qeverisë amerikane t’i dhuroj sot FSK-së këto mjete speciale, me qëllimin që ato të lehtësojnë punën e punonjësve të çminimit në terren dhe në këtë mënyrë, Kosova të jetë e sigurtë për qytetarët e saj”, tha Delawie.

Ministri i FSK-së, Haki Demolli, pasi falenderoi SHBA-të për ndihmën e dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve tha se, ekzistenca e zonave të minuara dhe mjeteve të pashpërthyera në zonat e prekura nga to nuk përbën vetëm rrezik për jetën e banorëve, por rëndon edhe gjendjen ekonomike të tyre, për shkak të pamundësisë së punimit të tokave bujqësore dhe shfrytëzimit të produkteve malore.

Top Channel