Izrael, Rama takon krerët e shtetit dhe kryebashkiakun e Jeruzalemit

22/12/2015 12:35

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Izrael, kryeministri Edi Rama zhvilloi takime me Presidentin e vendit, Reuven Rivlin, dhe kryeparlamentarin Yuli-Yoel Edelstein, me të cilët u fol për sfidat e përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Në takimin me kryebashkiakun e Jeruzalemit, kryeministri e vuri theksin te bashkëjetesa fetare në Shqipëri dhe ndarjen e kësaj përvoje me Izraelin.

“Ne jetojmë në një vend, ku ka komunitete të ndryshme fetare, të cilat kanë një marrëdhënie shumë të veçantë midis tyre. Ndaj është shumë pozitive për ne, që ta ndajmë me ju këtë eksperiencë dhe të dëgjojmë edhe ekperiencën tuaj”, tha Edi Rama.

Ndërsa për Nir Barkat është i nevojshëm bashkëpunimi më i madh ndërmjet të dyja vendeve.

“Për ne është shumë e rëndësishme, që të zhvillojmë marrëdhëniet tona, të mësojmë nga njëri-tjetri, të kontribuojmë me eksperiencat tona pozitive për partnerët tanë në mbarë botën”, tha Nir Barkat, kryetar bashkie në Jeruzalem.

Delegacioni shqiptar, kryesuar nga kreu i qeverisë, vizituan memorialin “Yad Vashem”, ku nderuan viktimat e Holokaustit; Baziliken e Varrit të Shenjtë të Krishtit, ndërtuar nga perandori ilir Kostandin; dhe Murin e lotëve.

E gjithë kjo vizitë, për shefin e qeverisë shqiptare shoqërohet me një emocion të veçantë, siç pohoi ai, i pyetur nga Top Channel në përmbyllje të kësaj vizite, për tejkalimin e kohës protokollare në takimin me homologun Netanyahu. Për izraelitët, shqiptarët janë popull i besës, që mikpritën hebrenjtë e përzënë nga Europa gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Izraeli nuk i harron miqtë dhe shqiptarët renditen ndër miqtë e rrallë dhe shumë të veçantë të Izraelit”, tha Rama.

Përtej lidhjes emocionale mes dy popujve, biznesmenët izraelitë kanë shprehur interes për investime në sektorët si bujqësia e turizmi, – tha kryeministri, – ndërsa më konkreti është bashkëpunimi në shfrytëzimin e naftës dhe gazit.

“Ne jemi në përfundim të një marrëveshjeje të rëndësishme për të pasur në Shqipëri edhe grupin më të madh izraelit në fushën e naftës dhe gazit, ‘DELEK Group’, që do të fillojë besoj nga viti i ardhshëm të eksplorojë në territorin e Shqipërisë dhe në një sërë fushash të tjera, si turizmi apo bujqësia, ku ka një interes të veçantë nga ana e investitorëve këtu në këtë vend”, shtoi më tej Rama.

E megjithë miqësinë mes Shqipërisë dhe Izraelit, ky i fundit vijon të mbajë një qëndrim të pandryshuar për Kosovën, çfarë për kreun e qeverisë shqiptare kjo lidhet me qëndrimin ndaj Palestinës, e jo në mënyrë të drejtpërdrejtë me Kosovën.

“Kjo është një çështje, që do të shkojë paralel edhe me çështjen që lidh votën e Izraelit me njohjen e shtetit të Kosovës”, përfundoi Rama.

FOTO GALERI
3/3
Rama me kryetarin e Parlamentit, Edelstein

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA