Bankat në Kosovë, rreziqe më të vogla, interesa më të larta

22/12/2015 00:00

Banka Qendrore e Kosovës udhëhoqi politika të shtrënguara në raport me licencimin e bankave të reja. Ndërsa në krahasim me vendet e ish-bllokut socialist sovjetik: Çekia, Hungaria dhe Polonia, Kosova nuk arriti të krijojë tregun e kapitalit, pra Bursën e Prishtinës.

Këto janë disa nga rezultatet e hulumtimit “Gjendja aktuale e sistemit financiar në Kosovë dhe efektet e tij në sigurinë njerëzore”, të publikuar nga Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim.

Në raport thuhet se, në vitin 2011, bankat në Kosovë operonin me rreziqe më të vogla se në rajon, ndërsa kishte norma interesi më të larta. Kosova – sipas raportit, – kishte rritje ekonomike edhe gjatë vitit 2008-2009, teksa disa vende të rajonit ishin në krizë ekonomike.

Borxhi publik i Kosovës është më i ulëti në rajon, por edhe në Europë. Kosova përdor euron si valutë shtetërore dhe, si rezultat, depozitat dhe kreditë në industrinë bankare janë në euro. Vendet e rajonit, si Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria kanë monedhat  e tyre kombëtare dhe bankat e tyre pranojnë depozita në euro dhe në monedhën kombëtare.

Në këtë rast, lëvizjet e kursit të këmbimit mund t’i dëmtojnë bankat e rajonit, por jo edhe bankat në Kosovë. Pra të gjithë treguesit e rrezikut janë më të lartë në rajon, sesa në Kosovë, por norma e interesit në Kosovë është 40% më e lartë sesa ajo në rajon, thuhet në komunikatën e dërguar nga kjo qendër.

Raporti rekomandon ndër të tjera ndryshimin e politikave, si: liberalizimi i skemës detyruese të pensioneve, por në të njëjtën kohë të mbahet Fondi i Kursimeve të Pensioneve të Kosovës, si monopol publik; krijimi i Bankës Shtetërore, që do të bënte presione në sistemin bankar, që të ulen normat e interesit në kredi dhe të rriten në depozita; krijimi i tregut të kapitalit dhe atij të obligacioneve, si dhe rivendosja e taksës mbi dividentët.

Top Channel