VV, Çaushi: Me qeveri të korruptuar, s’ka liberalizim vizash

21/12/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se, procesi i liberalizimit të vizave është peng i politikës së jashtme të udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, në një konferencë për media tha se, nuk mund të ketë liberalizim vizash me përbërjen aktuale të qeverisë, pasi – sipas tij, – nuk mund të përmbushet njëri nga kriteret kryesore, që është luftimi i korrupsionit.

“Përderisa ky vend vazhdon të qeveriset nga politikanë të korruptuar dhe inkriminuar, është e qartë se plotësimi i kritereve për liberalizimin e vizave do të jetë gjithmonë i pamundur. Kritere të tilla, siç janë transferimi i gjyqtarëve, ndërtimi i një regjistri të hetimeve dhe dënimeve, konfiskimi i pasurisë në rastet e krimeve të rënda, nuk mund të ndodhin nga kjo përbërje e qeverisë aktuale. Kjo i bie praktikisht, që këta politikanë dhe qeveritarë do të duhej të hetonin vetveten”, tha Driton Çaushi, nënkryetar i Vetëvendosjes.

Çaushi shtoi se, kryeministri Isa Mustafa, zëvendësi i tij Hashim Thaçi, por edhe Presidentja Atifete Jahjaga, dy ditë para publikimi të raportit nga Komisioni Europian gënjyen sërish qytetarët, duke deklaruar se janë përmbushur të gjitha kriteret. Ai fajësoi edhe Bashkimin Europian për zbatim të standardeve të dyfishta në raport me Kosovën, përderisa – sipas tij, – Serbia mbetet e përkëdhelur nga ana e tyre.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi komentoi edhe deklaratat e kryeministrit, Isa Mustafa, lidhur me zgjedhjen e Hashim Thaçit si President i ardhshëm i vendit.

“Ne mendojmë se, kjo qeveri në tërësi është jofunksionale dhe tepër e dëmshme për Kosovën. Ndaj dhe në tërësi vazhdojmë ta kundërshtojmë. Natyrisht që, në rastin e veçantë nuk mendojmë se një person i tillë, me një të kaluar të tillë, mund të luajë rolin e Presidentit të Kosovës”, tha Driton Çaushi, nënkryetar i Vetëvendosjes.

Ndërsa kushtin për demarkacionin me Malin e Zi, Çaushi e ka cilësuar si të padrejtë, pasi – siç tha ai, – ky kriter nuk është kërkuar nga Mali i Zi në momentin kur i janë liberalizuar vizat.

Top Channel