Llalla: Jo të gjithë të korruptuar, reforma jo gjithëpërfshirëse

21/12/2015 11:35

Prokurorit të Përgjtihshem, Adriatik Llalla, duket se i ka humbur durimi nga deklaratat përgjithësuese të ndërkombëtarëve, që u kanë vendosur si emërues të përbashkët korrupsionin si gjyqtarëve ashtu edhe prokurorëve.

E ndërsa më të ashpër në tryeza për reformën në drejtësi janë shfaqur ambasadori amerikan dhe ambasadorja e Bashkimit Europian, Prokurori i Përgjithshëm foli në gjuhën e provave.

“Duke përfshirë të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët si elementët më problematikë dhe kur të gjithë kishin të njëjtin status, pra të korruptuarit. Të gjithë kemi bindjen e plotë se ky është një argumentim jo i drejtë, jo i bazuar në prova apo në ligj”, tha Llalla.

Llalla kujtoi arrestimin së fundmi të dy prokurorëve për çështje korrupsioni si shprehje vullneti të akuzës për të larguar çdo elementë të ngjashëm.

“Ne kemi kapacitetet e duhura për t’u vetëpastruar nga këta lloj individësh dhe kërkoj nga ju që të përcillni përbrenda strukturave që drejtoni këtë mesazh që këta individë të cilët nuk përmbushuin në mënyrë korrekte apo abuzojnë me detyrën apo nuk i zbatojnë në mënyrën e duhur Kodin e Etikës së prokurorit në mënyrë sa më të shpejtë do të largohen nga radhët tona. Por kam bindjen se institicuoni i Prokurorisë dominohet nga prokurorë profesionistë, të aftë dhe me integritet të lartë moral dhe profesional”, vijoi Llalla.

Ashtu si edhe në konferencën gjyqësore, Prokurori i Përgjithshëm përsëriti se reforma në drejtësi nuk ishte gjithëpërfshirëse.

“Për marrje të inciativave dhe dalje të konkluzioneve kaq të shpejta pa u diskutuar me të gjithë elementët, faktorët që punojnë çdo ditë në sektorin e drejtësisë, në bindjen tonë ka qenë një veprim i nxituar”, deklaroi Llalla.

“Ata që janë jashtë banesës nuk e dinë se ku pikon çatia, thuhet se pikon çatia por nuk e dinë se ku dhe ne nuk jemi për të simuluar këtë lloj reformash që kërkojnë të rregullojnë cilësinë e banorëve të një shtëpie pa i pyetur banorët e shtëpisë”, u shpreh ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Këto deklarata u bënë gjatë takimit me krerët e prokurorive të rretheve në organin qendror të akuzës.

Top Channel