Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga fundi i vitit dhe hyrja në fuqi e moratoriumit të parë për ndalimin e prerjes së pyjeve, në zonat e vetme ku ka ende pasuri pyjore, prerjet po vazhdojnë me intensitet të lartë.
Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ngre shqetësimin për prerjet masive dhe të shfrenuara, që janë vënë re në zonën e Malit të Munellës dhe më gjerë në bashkitë e Pukës, Fushë Arrëzit dhe Mirditës në periudhën nëntor-dhjetor 2015.
Gjendja në këtë rajon ka qenë e rënduar prej shumë vitesh, por që prej njoftimit për shpalljen e moratoriumit të pyjeve në fillim të vitit 2016, situata ka degraduar masivisht.
PPNEA, në një njoftim për shtyp shkruan se, ka dokumentuar një shtim të jashtëzakonshëm të subjekteve, makinerive dhe individëve, të cilët po shfrytëzojnë pa kurrëfarë kriteri edhe ato pak pyje të mbetura. Nisur nga ky ritëm i paprecedentë shfrytëzues, PPNEA vlerëson se shpallja e moratoriumit të pyjeve në fillim të vitit që vjen, do të ketë shumë pak vlera ruajtëse dhe përfitime për pyjet e kësaj zone, pasi nuk po mbetet asnjë sipërfaqe pyjore për t’u ruajtur.
Kjo shoqatë ngre shqetësimin edhe për faktin se, Munella është rajoni i vetëm në Shqipëri, ku është dokumentuar prania dhe riprodhimi i Rrëqebullit të Ballkanit, një nënlloj tejet i rrezikuar sipas klasifikimeve të Unionit Botëror për Ruajtjen e Natyrës. Vlerësohet se jetojnë vetëm 4 deri në 6 kafshë të tilla dhe më i fundit u gjend i vrarë pak ditë më parë.
Shoqata për mbrotjen e mjedisit natyror bën thirrje për anulimin urgjent të lejeve për prerjen e pyjeve në Munellë, pasi çdo ditë po çon në një regres të pakthyeshëm mjedisin natyror.
Vetëm dy muaj para hyrjes në fuqi të moratoriumit për ndalimin e prerjes së pyjeve, Ministria e Mjedisit dha leje për prerjen e dhjetëra mijëra metër kub lëndë drusore, për zjarr dhe qëllime industriale, shumica e të cilave shkojnë për eksport.
Por vëzhgimet në terren flasin për prerje masive, jashtë çdo kriteri përzgjedhës të pemëve. Në Bulqizë këto leje kanë shkaktuar reagime të ashpra të banorëve, të cilët e shikojnë pyllin si të vetmin ekuilibër natyror, që garanton jetesën në këto zona. Banorët thonë se, ndërsa kompanitë ekportuese presin masivisht pyjet për t’i shitur, vet ata edhe pse jetojnë në pyje shpesh ndalohen nga policia të presin drurë për t’u ngrohur.
Top Channel