Librazhd, kërkohet shkarkimi i myftiut: Ka sjellë përplasje me Islamin

20/12/2015 00:00

Këshilli i Myftinisë së Librazhdit protestoi kundër myftiut Taulant Bici, i cili sipas tyre ka sjellë përplasje me Islamin tradicional. Të mbledhur në qendër të qytetit të Librazhdit, imamë dhe besimtarë myslimanë kërkuan nga Komiteti Mysliman i Shqipërisë largimin e menjëhershëm të myftiut Bici.

Këshilli i Myftinisë së Librazhdit akuzoi gjithashtu KMSH-në se, prej 7 muajsh nuk ka marrë asnjë masë për situatën e krijuar në Myftininë e Librazhdit.

“Jemi sot dëshmitarë të një situate që ka sjellë përplasje me islamin tradicional. Të ndodhur në këtë situatë të tensionuar, në rritje dhe pa asnjë reflektim nga myftiu, dhe për kthimin e normalitetit të frymës mirënjohëse e vëllazërore në institucionin e besimtarëve të këtushëm, kërkojmë largimin e menjëhershëm nga detyra të myftiut të Librazhdit, Taulant Bici, duke qenë se është shkaktar i kësaj përçarjeje dhe anomalie”, tha Fatmir Hoxha, anëtar i Kryesisë së Myftinisë Librazhd.

“Me ardhjen e këtij myftiu është krijuar një përbuzje ndaj klerikëve të vjetër, ndaj imamëve të vendosur në komunitetin mysliman dhe nga Myftinia e rrethit të mëparshëm”, tha Hekuran Karaj, imam.

“U drejtohemi organeve kompetente. Sot nuk ka komunikim nëpërmjet dikasterit nga i cili varemi. Janë konsumuar të gjitha procedurat. Sot i drejtohemi shtetit për këtë mosmarrëveshje që kemi, të venë dorë dhe të paktën të na lënë aty ku ishim, të mos na përçajnë”, tha Maliq Gurra, imam.

Këshilli i Myftinisë së këtij qyteti ka kundërshtuar gjithashtu vendimin e Kryesisë së Komunitetit Mysliman për largimin nga detyra të administratorit Xhevahir Bahiti, i cili prej 20 vitesh shërben në Myftininë e Librazhdit.

Këshilli i Myftinisë deklaroi se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, për të vënë në vend dinjitetin e anëtarëve të tij dhe besimtarëve të Librazhdit.

Top Channel