Kosovë, qeveria reagon pas djegies së makinës së kryetarit të gjykatës

20/12/2015 17:20

Qeveria e Kosovës ka dënuar ashpër djegien e makinës zyrtare të kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinësdhe ka ftuar organet e drejësisë të marrin masa për zbardhjen e rasteve të tilla dhe parandalimin e tyre në të ardhmen.

Ky akt është cilësuar nga qeveria si sulm ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe formë e presionit ndaj bartësve të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës konsideron se dhuna e organizuar dhe e shfaqur, në të gjitha format e saj, dëmton interesat madhore të qytetarëve si dhe progresin e përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovës për fuqizimin e shtetit, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e rrugës integruese euroatlantike, të cilat po arrihen me përkrahjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të BE-së”, thuhet ndër të tjera në reagimin e qeverisë.

Në këtë komunikatë, qeveria ka shprehur përkrahje të plotë për organet e drejtësisë dhe për fuqizimin e shtetit të së drejtës.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Shoqata e Gjykatësve të Kosovës, e cila djegien e makinës zyrtare të kryetarit të gjykatës Themelore, e ka cilësuar si veprim të ulët dhe sulm ndaj të gjitha institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Në reagimin e gjyqtarëve të Kosovës thuhet se një akt i tillë provokon pasiguri dhe tentative për t’i penguar zyrtarët e sistemit gjyqësor që ta ndjekin dhe luftojnë krimin si dhe t’i kryejnë detyrat e tyre që dalin nga kushtetuta dhe ligjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA